2010/06/18 - 12:00
Qendra për Politika dhe Avokim dhe Policia e Kosovës kanë organizuar një ligjëratë për të rinjtë me temën “Siguria në rrugë”, ndërsa më pas dhjetëra nxënës kanë defiluar me biçikleta nëpër rrugët e Mitrovicës. Nxënësit e shkollës së mesme teknike “Artikekt Sinani” kanë shpërndarë broshura me moton “ Më mirë të humbësh një minutë në jetë së një jetë në minutë”. Ata po ashtu kanë biseduar me shoferët dhe kalimtarët e rastit duke i këshilluar ata që të kenë kujdes të shtuar në rruge dhe poashtu t’i përdorin biçikletat si mjet më i lirë dhe që nuk e ndot ambientin. Shqipe Pantina, drejtoreshë ekzekutive e QPA ka theksuar se qëllimi i këtij defilimi është që qytetarët të mendojnë më shumë për mundësinë e përdorimit të biçikletave sidomos nëpër qytete dhe të shmangin përdorimin e makinave sa më shumë që është e mundur. “Një mesazh tjetër që këta nxënës përcjellin është që shoferët të jenë më të kujdesshëm sidomos gjatë sezonës së verës kur rritet numri i makinave në trafik, rritet numri i dasmave e i ahengjeve dhe për pasojë rritet edhe numri i aksidenteve”, tha ajo, duke bërë apel të gjithë shoferëve të ulin shpejtësinë e vozitjes. Ajo ka falënderuar Policinë e Kosovës për mbështetje në realizimin e këtij aktiviteti. Ndërsa Avni Zahiti, shef i njësitit të policisë në komunitet ka thënë se ky aktivitet është një përmbyllje e një serie të aktiviteteve dhe ligjëratave për nxënës të shkollave të rajonit të Mitrovicës që Policia e Kosovës ka realizuar me qëllim të rritjes së sigurisë për qytetarë. Zaiti ka theksuar gatishmërinë e policisë së Kosovës për mbështetjen e aktiviteteve të tilla që organizohen qoftë nga OJQ-të apo institucione tjera. Ku aktivitet është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe USAID përmes East West Management Insitute.