Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Gejndja në Komunën e Mitrovicës vazhdon të jetë gjithnjë e më relaksuar

2010/08/16 - 12:00

Komiteti Lokal për Siguri Publike i Komunës, kryesuar nga nënkryetari i Komunës,
Rizah Haziri, vlerësoi të hënën, në takimin e rregullt, se gjendja e përgjithshme në komunë gjatë dy javëve të fundit, ka qenë e qetë dhe pa probleme të theksuara.

Mitrovicë, 16 gusht
Komiteti Lokal për Siguri Publike i Komunës, kryesuar nga nënkryetari i Komunës,
Rizah Haziri, vlerësoi të hënën, në takimin e rregullt, se gjendja e përgjithshme në komunë gjatë dy javëve të fundit, ka qenë e qetë dhe pa probleme të theksuara.
Nënkryetari i komunës, Rizah Haziri tha se gjatë kësaj periode gjendja e sigurisë në komunë ka qenë dukshëm më e relaksuar dhe se nuk është shënuar asnjë incident i rëndë që do të ndikonte në përkeqësimin e saj. Ai përveç qytetarëve, për të cilët tha se kanë meritë të pakontestueshme për këtë, falënderoi edhe pjesëtarët e policisë së Kosovës, ata të EULEX-it dhe KFOR-in për kontributin e dhënë në ruajtjen e paqes, rendit dhe sigurisë në komunë.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se përveç që nuk është shënuar asnjë incident, gjatë dy javëve të fundit, falë angazhimit të policisë së Kosovës, është shënuar rënie e të shtënave nga armë zjarri nëpër ahengje dhe është shtuar dukshëm lëvizja dhe qarkullimi i lirë i qytetarëve dhe automjeteve nga pjesa veriore në atë jugore të qytetit dhe anasjelltas.
Megjithëkëtë, Bala tha se të shtunën ka pas një bllokadë të shkurtër në rrugën magjistrale Mitrovicë-Leposaviq, ku disa qytetarë të përkatësisë etnike serbe kanë protestuar, por gjithçka ka kaluar pa incident dhe pa ndonjë problem tjetër.
Po ashtu, drejtori Bala i njoftoi të pranishmit në takim, se në shuarjen e zjarrit në Vinarc të Ulët para disa ditësh, kur u shkatërruan rreth katër hektarë pyje, kanë marrë pjesë zjarrfikësit nga të dyja pjesët e qytetit, pra shqiptarët dhe serbët dhe se me këtë rast ata kanë bashkëpunuar shumë mirë, gjë që flet edhe për relaksimin e raporteve midis pjesëtarëve të përkatësive të ndryshme etnike që jetojnë në komunë dhe për vetëdijesimin e tyre për të kuptuar realitetin e ri të krijuar këtu.
Përfaqësuesi i policisë rajonale në Mitrovicë, Avni Zahiti, tha se në protestën e së shtunës, në rrugën e lartë përmendur magjistrale kanë marrë pjesë rreth 200 serbë, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë dhe kundërshtimin e tyre për praninë e njësisë speciale të policisë së Kosovës në veriun e vendit.
Ndërkaq, Ramiz Isufi nga stacioni jugor i policisë, tha së gjatë periodës së shkuar dyjavore, policia e Kosovës ka konfiskuar shtatë armë zjarri automatike dhe katër revole.