2011/06/02 - 12:00
Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka hartuar një dokument për “Vlerësimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera”, që vlerësohet si shumë i rëndësishëm për këtë komunë. Zyrtarët komunalë thonë se ky është një dokument ku janë përmbledhur rreziqet me të cilat mund të përballet Mitrovica. Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se për përgatitjen e këtij dokumenti që 126 faqe ka punuar një grup prej 18 vetash për 2 muaj rresht, përderisa e gjithë puna për finalizimin e tij ka zgjatur rreth 6 muaj. “Është punuar me përkushtim dhe të gjithë anëtarët e grupit punues që kanë qenë të drejtorive të ndryshme komunale kanë dhënë kontributin e vet në këtë drejtim”.
Tha se ky dokument është nxjerrë konform “Ligjit për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera” dhe Udhëzimit Administrativ XIX/2008. “Në dokument janë përfshirë të gjitha rreziqet natyrore, mandej ato teknologjike, epidemiologjike, infrastrukturës kritike etj”.
Drejtori Bala, theksoi se në përgjithësi ndër rreziqet kryesore që janë identifikuar për Mitrovicën janë vërshimet, zjarret si dhe materialet e rrezikshme, që kanë mbetur nëpër deponi të ndryshme në territorin e komunës nga ish-ndërmarrjet e “Trepçës”. “Nga përvoja e viteve të kaluara, mandej duke u bazuar në pozitën gjeografike etj, është konkluduar se vërshimet, zjarret dhe materialet e rrezikshme mbeten rreziqe të përhershme për Mitrovicën”.
Ai sqaroi se në këtë dokument janë futur edhe rreziqet që janë identifikuar në veri të Mitrovicës. “Duke qenë se në veri ende nuk kemi një komunë legale, ne e kemi përfshirë gjithë territorin e Mitrovicës në këtë dokument”.
Drejtori Bala, tha se dokumenti për “Vlerësimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera”, ndihmon për ndërmarrjen e masave parandaluese ndaj këtyre rreziqeve të identifikuara. “Tash do të nisim punën për hartimin e “Planit për reagim”, që është rrjedhojë logjike pas hartimit të dokumentit për vlerësimin e rreziqeve, me çka do të krijohet një bazë e mirë që ka të bëj me sferën e mbrojtjes dhe shpëtimit për qytetarët e Mitrovicës”.