2010/05/19 - 12:00
Ushtarët e KFOR-it danez në Zubin Potok janë kërcënuar të martën nëpërmjet një letre, përderisa në janë vërejtur edhe dëme materiale të shkaktuara në një xham të dritares së zyrës së tyre që besohet të ishte shkaktuar nga armë zjarri. Policia njofton se rreth orës 18:00min, dy punonjëse, pastruese, të hotelit “Pink” në Zubin Potok, kanë njoftuar zyrtarët policor për identifikim të një letre të adresuar për KFOR-in danez, pranë derës hyrëse të një zyre në të cilën janë të vendosur zyrtarët ndërlidhës të KFOR-it. “Njësitë përkatëse policore kanë dalë në vend ngjarje dhe kanë pranuar letrën me përmbajtje të tekstit kërcënues. Veç letrës kërcënuese, në vend ngjarje, hetuesit policor kanë vërejtur edhe dëme materiale të shkaktuara në një xham të dritares së kësaj zyre e që besohej të ishte shkaktuar nga armë zjarri”, tha zëdhënësi i policisë, Besim Hoti. Vendi i ngjarjes është siguruar, ndërsa teknikët e kriminalistikës kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes. Dëme të shkaktuara nga armë zjarri janë vërejtur në xhamin e zyrës si dhe në tavanin e zyrës ku është gjetur këmishëza e një predhe të plumbit të një kalibri ende të papërcaktuar. Hoti tha se një kontroll i vendit të ngjarjes më i detajuar është realizuar nga teknikët e kriminalistikës dhe hetuesit policor në kërkim të provave tjera të mundshme materiale të këtij akti kriminal. Koha e saktë e incidentit nuk është përcaktuar ende. Prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, është informuar lidhur me rastin ndërsa hetimet janë në vazhdim. Rasti është kualifikuar si vepër penale kundër të drejtës ndërkombëtare në bazë të nenit 141 pika 3 dhe 4, “Rrezikim i personave në mbrojtje ndërkombëtare” të paraparë në Kodin Penal të Kosovës.