2011/10/17 - 12:00
Në vazhdim kryetari Kastrati ka thënë se ndonëse ka pas disa incidente dhe është vënë edhe një barrikadë në lagjen veriore “Kroi i Vitakut”, që është e banuar me popullatë të përzier, por e cila është larguar pas disa ditësh pa probleme, këto ngjarje, përveç që i kanë shqetësuar qytetarët shqiptarë që jetojnë aty, nuk e kanë përkeqësuar gjendjen e përgjithshme të sigurisë e cila ka mbetur relativisht e qetë, por e tensionuar.
Komiteti pë Sigurisë Lokale, që funksionon në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës, në mbledhjen e vet të rregullt, që është mbajtur të hënën, nën drejtimin e kryetarit të Komunës, Avni Kastrati, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të strukturave të sigurisë që veprojnë në këtë komunë, ka vlerësuar se gjendja e sigurisë gjatë javës së fundit, ka vazhduar të jetë relativisht e qetë, por pak më e tensionuar për shkak të veprimit të ekstremistëve serbë në veri të komunës e të vendit.
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, para se të mbajë fjalën e tij, i ka ftuar të pranishmit që me një minutë heshtje të nderojnë ushtarin francez të KFOR-it, që ka shërbyer zonën e përgjegjësisë në veri dhe i cili tragjikisht humbi jetën gjatë fundjavës. Kjo është mirëpritur nga përfaqësuesi i KFOR-it që ishte i pranishëm në mbledhje, i cili edhe e falënderoj kryetarin Kastrati.
Në vazhdim kryetari Kastrati ka thënë se ndonëse ka pas disa incidente dhe është vënë edhe një barrikadë në lagjen veriore “Kroi i Vitakut”, që është e banuar me popullatë të përzier, por e cila është larguar pas disa ditësh pa probleme, këto ngjarje, përveç që i kanë shqetësuar qytetarët shqiptarë që jetojnë aty, nuk e kanë përkeqësuar gjendjen e përgjithshme të sigurisë e cila ka mbetur relativisht e qetë, por e tensionuar.
Ai e ka përshëndetur paralajmërimin e komandantit të KFOR-it, gjeneralit Erhard Drevs për largimin e barrikadave nëpër rrugët e veriut të vendit, nëse ato nuk do të largohen deri të martën, duke kërkuar njëkohësisht nga të gjithë qytetarët dhe strukturat e sigurisë që ta mbështesin këtë vendosmëri të KFOR-it.
“Në ditë në vijim duhet të jemi shumë më të angazhuar dhe syçelë të gjithë, pasi që pritet që situata të eskalojë për shkak se serbët kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë KFOR-in nëse ndërmerr masa për largimin e barrikadave. Patjetër duhet që të përkujdesemi për sigurinë e qytetarëve jo serbë që jetojnë lagjet veriore, të cilët deri tash janë treguar shumë të durueshëm dhe nuk kanë rënë pre e provokimeve të ekstremistëve”, ka thënë Kastrati.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka thënë se është kërkesë e vazhdueshëm e qytetarëve, madje edhe atyre serbë, që barrikadat të largohen sa më shpejtë nga rrugët, pasi që ato e kanë vështirësuar jetën e tyre.
Gjatë javës që shkoi, tha ai, ekstremistët serbë kanë atakuar një femër shqiptarë ne cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, ndërkohë që të premten dhe të shtunën në pjesën veriore të qytetit ka pas të shtëna me armë zjarri që i kanë shqetësuar qytetarë. Ndërsa, rreth mesnatës ndërmjet të dielës dhe të hënës në veri është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm. Sipas tij, ka paralajmërime se sot (e hënë), në veri nuk do të punojnë institucionet paralele joligjore dhe jolegale serbe dhe as ato shkollore, prandaj mund të pritet që gjendja të eskalojë.
Përfaqësuesi i Drejtorisë rajonale të policisë në Mitrovicë, Nexhip Gashi, tha se shpërthimi është dëgjuar dhe se policët janë duke e hulumtuar vendin e shpërthimit, por ende nuk është identifikuar. Por, shtoi ai, policia ka të dhëna se serbët do të kundërshtojnë largimin e barrikadave dhe se deri tash afër barrikadës në Zupq janë tubuar rreth 800 serbë, në Banjskë 300 dhe në Jarinje 30 serbë.
Ndërkaq, komandanti i stacionit jugor të policisë në Mitrovicë, Avni Zabeli i njoftoi të pranishmit për rënie drastike të kontrabandës në veri të vendit. Ai tha se policia është shumë e angazhuar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë, sidomos në zonat me popullatë të përzier dhe se në lagjet veriore ku jetojnë edhe shqiptarët është angazhuar një numër i caktuar i policëve të Kosovës.