Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Komuna dhe KE-ja nënshkruan memorandumin për investimin 14 milionësh

2011/03/16 - 12:00

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe shefi i operacioneve të Komisionit Evropian në Kosovë, Kjartan Bjornsson, kanë nënshkruar të mërkurën memorandumin për financimin 14 milionësh  për Qendrën rekreativo-sportive në Mitrovicë. Ky projekt që financohet nga Komisioni Evropian është vlerësuar shumë i rëndësishëm dhe kapital për Mitrovicën. Kryetari Kastrati, sqaroi se në bazë të projektit që është prezantuar të mërkurën, parashihet të ndërtohet një qendër sportive multidiciplionare si dhe të rinovohet në tërësi palestra e sportit “Minatori”. Ndërsa një qendër biznesi do të ndërtohet me një kredi dhe ka për qëllim që të siguroj të ardhura për mirëmbajtjen e objekteve sportive që do të ndërtohen.

Ai falënderoi Komision Evropian dhe në veçanti, shefin e operacioneve, Kjartan Bjornsson, i cili ka dhënë një kontribut të madh dhe e ka shtyer realizimin e këtij projekti me rëndësi të madhe për qytetarët e Mitrovicës. “Është një investim kapital që do të gjeneroj zhvillim ekonomik dhe të përgjithshëm në këtë komunë”.

Kryetari Kastrati, tha se objektet që do të ndërtohen përmbushin standardet evropiane sa i përket segmentit të ambientit. “Poashtu është paraparë që nëpërmjet pajisjeve moderne të sigurohet energji e pastër për këtë objekte”, tha ai, duke shtuar se ky është një investim që do të ndryshoj Mitrovicën.

Në anën tjetër, shefi i operacioneve të Komisionit Evropian në Kosovë, Kjartan Bjornsson, shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e këtij memorandumi për financimin e këtij projekti për qendrën rekrativo-sportive. Ai tha se ka rreth një vit kanë punuar me drejtuesit e Komunës së Mitrovicës dhe veçanërisht kryetarin Kastrati, për këtë projekt kapital.

Tha se ky objekt do të siguroj hapësira të mëdha për sport dhe rekreacion për të nxënësit, të rinjtë dhe sportistët e kësaj komune. “Objekti rekreativo-sportiv që do të jetë multidiciplinar do të ofroj kushte shumë të mira për të qytetarët mitrovicas, në radhë të parë për të rinjtë”.

Ai sqaroi se në pranverë do të hapet tenderi për përzgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e këtyre objekteve, mandej nëse gjithçka shkon sipas planit në shtator pritet të vihet gurthemeli për këto objekte. “Ky projekt do të filloj sivjet, por puna kryesore pritet të kryhet vitin e ardhshëm”, tha ai.