2010/08/18 - 12:00
Drejtuesit e Komunës ju bënë me dije përfaqësuesve të shoqatave të dalura nga lufta, se këto ditë kanë marrë nismën për hulumtimin e mundësive të komunës, për të gjetur një sipërfaqe të përshtatshme për ndarjen e trojeve për ndërtim individual të shtëpive për familjet që janë pjesë e këtyre shoqatave. Mitrovicë, 18 gusht
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati dhe nënkryetari, Rizah Haziri, kanë biseduar në ambientet e Kuvendit të Komunës me drejtuesit e shoqatave të dalura nga lufta të komunës së Mitrovicës, për gjendjen e përgjithshme të anëtarësisë së këtyre shoqatave.
Kryetari Kastrati dhe nënkryetari Haziri, ju kanë thënë drejtuesve të shoqatave se ata e kuptojnë realisht gjendjen e vështirë ekonomiko-sociale në të cilën jetojnë anëtarësia e tyre, andaj, bashkë me institucionet tjera të pushtetit lokal, janë shumë të interesuar dhe përkushtuar për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat ballafaqohen në jetën e përditshme, por që kjo nuk varet vetëm nga gatishmëria dhe vullneti i mirë për të ndihmuar, por nga mundësitë buxhetore të komunës.
Në këtë kontekst, drejtuesit e Komunës ju bënë me dije përfaqësuesve të shoqatave të dalura nga lufta, se këto ditë kanë marrë nismën për hulumtimin e mundësive të komunës, për të gjetur një sipërfaqe të përshtatshme për ndarjen e trojeve për ndërtim individual të shtëpive për familjet që janë pjesë e këtyre shoqatave.
Ata i njoftuan drejtuesit e shoqatave se e kanë obliguar shërbimin përkatës të kadastrit që t’i identifikoj pronat e komunës që do të mund të ishin të përshtatshme për këtë qëllim dhe më pastaj të ndërmarrin veprimet tjera konkrete për realizimin e kësaj nisme.
“Mendojmë që në këtë mënyrë të ndajmë rreth 300 troje për familjet e Shoqatës së familjeve të Dëshmorëve, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së të Pagjeturve. Duke qenë se jam optimist se kjo do të realizohet, premtojmë po ashtu se komuna do ta rregulloj tërë infrastrukturën përkatëse për këto troje, duke përfshi këtu rrugën, ujësjellësin, kanalizimin, telefoninë etj”, ka thënë kryetari Kastrati.
Pasi dëgjuan nga kryetari Kastrati se përzgjedhjen e përfituesve duhet ta bëjnë vet shoqatat, drejtuesit e tyre, duke i falënderuar kryetarin Kastrati dhe nënkryetarin Haziri, për nismën e ndërmarrë dhe për angazhimet tjera që kanë bërë për të ndihmuar në forma të ndryshme këto kategori, u zotuan se do të përcaktojnë kritere rigorozë për të qenë përfitues i trojeve dhe se ato do të jenë familjet me gjendje më të rëndë ekonomiko-sociale.