Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Komuna merr përsipër mbulimin e shpenzimeve për varrimin e qytetarëve

2010/12/31 - 12:00

Tri vendime të rëndësishme janë marrë të enjten në seancën e 12 të Kuvendit të Komunës, të fundit për këtë vit. Anëtarët e KK-së kanë miratuar draft-propozimin për Rregulloren për transparencë, duke e konsideruar këtë si një dokument mjaft me rëndësi, i cili tash do të vihet në diskutim publik. Në këtë seancë është përkrahur edhe propozimi i kryetarit të komunës, Avni Kastrati, për nisjen e procedurave për ndërrimin e patundshmërisë që është pronë e Drejtorisë së Pyjeve me një patundshmëri të komunës, me qëllim të ndarjes së 500 trojeve për kategoritë e dala nga lufta, rastet sociale etj.

Kuvendarët gjithashtu kanë mbështetur propozim-vendimin e kryetarit të komunës, që komuna të mbuloj të gjitha shpenzimet për varrimet e të gjithë qytetarëve të komunës. Mbeti që të specifikohen gjërat në lidhje me këtë projekt, që u vlerësua shumë human.

Edhe në këtë seancë edhe pse ishte paraparë në rend të ditës nuk është vënë në votim propozimi për emblemë të komunës, për shkak të mungesës së koncenzusit.