Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Komuna siguron autoshkallë për zjarrfikësit

2010/11/22 - 12:00

Me ndihmën e Komunës së Mitrovicës, përkatësisht Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, është zgjidhur problemi shumë i madh e Brigadës së zjarrfikësve në Mitrovicë, të cilët janë ballafaqur me mungesë të një autoshkalle që prej përfundimit të luftës. Tashmë është siguruar një automjet i tillë me 45 mijë euro që ka ndarë Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se kjo autoshkallë ka qenë shumë e nevojshme për punën e Brigadës së zjarrfikësve. Ai premtoj se komuna do të vazhdoj që të mbështes zjarrfikësit për krijimin e kushteve më të mira për punë, në mënyrë që të rritet edhe efikasiteti i punës së tyre.

Ndërsa Tahir Mikullovci, komandant i Brigadës së zjarrfikësve, tha se në Mitrovicë, ka shumë objekte të larta, prandaj autoshakalla ka qenë e domosdoshme. Ai falënderoi drejtuesit e komunës për mbështetjen që kanë treguar vazhdmisht për Brigadën e zjarrfikësve në mënyrë që të krijohen kushtet sa më të mira për punë.

Ai tha se një kontribut të madh për punën efikase të kësaj brigade në Mitrovicë është duke e dhënë edhe KFOR-i, përkatësisht zjarrfikësit e KFOR-it francez që vazhdimisht prej përfudimit të luftës kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme. Mikullovci theksoi se edhe kësaj radhe zjarrfikësit e KFOR-it ju kanë dalur në ndihmë duke trajnuar stafin përgjegjës për punë me autoshkallën që arrin lartësitë deri 30 metra.

Sa i përket pajisjeve, Mikullovci tha se në përgjithësi kushtet janë përmirësuar. Tha se kanë një ambient të mirë për punë, mandej përmendi objektin dhe oborrin që është rregullur mirë. "Në përgjithësi kushtet i kemi të mira dhe kjo fal ndihmës së komunës dhe donatorëve të ndryshëm, pa harruar asnjëherë ndihmën e vazhdueshme të KFOR-it".

Si problem ceku automjetet e vjetërua, të cilat ju shkaktojnë shumë probleme. Komandanti i Brigadës së zjarrfikësve, tha se shumica e tyre janë donacione dhe janë marrë në gjendje jo të mirë. "Ka shumë probleme me to meqë mungojnë pjesët rezervë", tha ai.