2011/12/02 - 12:00
Zyrtarët e ekzekutivit dhe ata të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës kanë zhvilluar të premten një takim me drejtuesit e KEK-ut në Mitrovicë, ku kanë shfaqur shqetësimin për reduktimet e ashpra të energjisë elektrike në gjithë territorin e komunës. Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, i cili është shoqëruar nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrustem Musa dhe shefat e grupeve të këshilltarëve në KK, ka theksuar se Mitrovica është tepër e rënduar nga reduktimet. “Në zonën urbane ashtu edhe në atë rurale reduktimet janë shumë të ashpra dhe kjo është duke irrituar qytetarët”.
Ai tha se nuk ka kurrfarë orari të reduktimeve dhe nuk respektohen as kategoritë që ishin përcaktuar nga vetë KEK. “Në përgjithësi furnizimi me energji elektrike bëhet 3 orë me rrymë dhe 3 orë pa të”.
Theksoi se kjo situatë është duke ju shkaktuar dëme pronarëve të dyqaneve dhe qytetarëve, të cilët ankohen për prishjen e ushqimeve që kanë nëpër frigoriferë. “Nëse nuk ndryshon kjo gjendje mund të ketë reagime të pakontrolluara të qytetarëve”.
Në anën tjetër, zyrtarët e KEK-ut kanë thënë se reduktimet janë të ashpra për shkak të rrjetit të dobët, mandej nivelit të ulët të inkasimit etj.