2011/06/10 - 12:00
Synimi i Qeverisë është përmirësimi i kushteve për mësimdhënësit kosovarë në nivel me standardet e shteteve perëndimore, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të enjten në mbrëmje në një darkë të përbashkët me mësimdhënësit mitrovicas. Ai falënderoi mësimdhënësit për punën dhe angazhimin e tyre të suksesshëm gjatë këtij viti shkollor. “Ju do të keni standardin e punëtorëve të arsimit të vendeve të BE-së”, është shprehur Thaçi, duke uruar mësimdhënësit për rritjen e pagave të tyre për 50 për qind. Ai tha se mësimdhënësit janë përkushtimi i tij në punë dhe në jetë dhe se Qeveria e Kosovës do të rrisë përgjegjësinë ndaj mësimdhënësve edhe në të ardhmen. Kreu i Qeverisë së Kosovës theksoi se vetëm duke investuar në edukim do të investohet në të ardhmen e vendit, andaj Qeveria do të vazhdojë të investojë në këtë drejtim, por edhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve në përgjithësi. Sa i përket rritjes së pagave, ai tha se ka qenë vendim jashtë partiak, sepse siç tha ai, mësimdhënësit i përkasin të gjitha partive politike. “Kosova nuk është në krizë, por në krizë janë ata që kanë qenë kundër rritjes së pagave”, tha mes tjerash Thaçi, duke uruar të gjithë arsimtarët për punë edhe më të suksesshme në të ardhmen.
Në këtë takim kryeministri shoqërohej edhe nga ministrat Bajram Rexhepi e Bedri Hamza si dhe nga kryetari i komunës, Avni Kastrati. Ky i fundit ka folur për investimet e mëdha që janë bërë viteve të fundit në përmirësimin e kushteve për mësimdhënësit dhe nxënësit mitrovicas. Kryetari Kastrati, përmendi ndërtimin e objekteve të reja shkollore, mandej anekset etj. Ndërsa drejtori për Arsim në këtë komunë, Ali Bejta, sqaroi se në Mitrovicë ka mbetur vetëm një shkollë ku mësimi mbahet në tri ndërrime.