Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryetari Bahtiri priti komandantin e ri të Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri, kolonelin Dominique

2018/04/17 - 2:45

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur për herë të parë në një takim komandantin e ri të Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri, kolonelin Saudan Dominique, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në Mitrovicë dhe gjendjen e sigurisë në komunë.

Kryetari Bahtiri, pasi vlerësoi lartë bashkëpunimin e Komunës më pjesëtarët e KFOR-it, e njoftoi komandantin Dominique mbi gjendjen aktuale politike e të sigurisë në komunë, për të cilën tha se është e qetë dhe pa probleme.

“Në komunën e Mitrovicës janë bërë hapa të mëdhenj në stabilizimin e plotë të gjendjes së përgjithshme. Tani kur rezultatet në këtë drejtim janë të dukshme, kemi pas mundësi më të mëdha të punojmë në drejtim të zhvillimit ekonomik, ku kemi arritur rezultate të prekshme, falë interesimit të bizneseve për të investuar në Komunë. Në këtë drejtim qenësor ka pas para së gjithash angazhimi dhe përkushtimi i vet qytetarëve, të të gjitha përkatësive etnike, për të pas një situatë të qetë. Ata treguan se  tashmë janë lodhur nga problemet që ata vet pothuaj asnjëherë nuk i kanë krijuar, por që ishin grupet ekstremiste që punonin për interesa të veta e jo të qytetarëve ”, tha ai.

Në vazhdim kryetari Bahtiri i tha komandantit Dominique se ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të inkurajoj kontakte dhe dialogun me kryetarët e komunave në veri të Kosovës, por edhe ndërmjet vet qytetarëve të këtyre komunave dhe atyre të komunave në pjesën jugor të Ibrit, duke shtuar se ka lëvizje pozitive në këtë drejtim.

Komandanti i Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri, koloneli Saudan Dominique, u shpreh të jetë i kënaqur me atë që dëgjoi nga kryetari Bahtiri, për të shtuar se bashkëpunimin e mirë të deritashëm ndërmjet Komunës dhe Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri vetëm sa do ta intensifikoi dhe pasuroi, me qëllim që të realizimit të kërkesave të qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike për të jetuar në paqe dhe për të pas  një jetë sa më të mirë e të pabrenga.

Ai, pasi e përgëzoi për punën e mirë që ka bërë, ia dorëzoi kryetarit Bahtiri ftesën për të marrë pjesën në një ushtrim të madhe të ushtarëve të KFOR-it që do të mbahet afër aeroportit të Sllatinës më 27.04.2018.