Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryetari Kastrati bisedoi me përfaqësuesit e “Lagjes së Boshnjakëve”

2010/08/30 - 12:00

Ishte konstatim i përbashkët, se me zgjidhjen e këtyre çështjeve, do të evitohej tendenca e largimit nga lagja të familjeve shqiptare dhe do të ruhej balanca etnike e lagjes, që  viteve të fundit është ndryshuar në dëm të shqiptarëve e në të mirë të serbëve, për shkak të investimeve që ka bërë Qeveria e Serbisë në blerjen e pronave të shqiptarëve, për të ndërtuar në  to ndërtesa shumëkatëshe, në të cilat janë vendosur familjet serbe.

Mitrovicë, 30 gusht
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka biseduar në ambientet e Kuvendit të Komunës me një grup përfaqësuesish të “Lagjes së Boshnjakëve”, që gjendet në pjesën veriore të qytetit, për çështjet aktuale që i preokupojnë banorët e atyshëm dhe mundësinë e zgjedhjes së tyre.
Ishte konstatim i përbashkët, se me zgjidhjen e këtyre çështjeve, do të evitohej tendenca e largimit nga lagja të familjeve shqiptare dhe do të ruhej balanca etnike e lagjes, që  viteve të fundit është ndryshuar në dëm të shqiptarëve e në të mirë të serbëve, për shkak të investimeve që ka bërë Qeveria e Serbisë në blerjen e pronave të shqiptarëve, për të ndërtuar në  to ndërtesa shumëkatëshe, në të cilat janë vendosur familjet serbe.
Përfaqësuesit e lagjes, Fevzi Beqiri, Gani Azemi, Florent Azemi dhe Agim Zeneli, i thanë kryetarit Kastrati se në lagjen e tyre janë ndërtuar kohëve të fundit, apo janë në ndërtim e sipër 12 shtëpi shqiptare të shkatërruara gjatë luftës nga ekstremistët serbë, por që janë edhe rreth 80 sosh që ende nuk kanë filluar së ndërtuari, ndërsa që pronarët e tyre me familje jetojnë gjetiu dhe me qira.
Ata thanë se për ndërtimin e tyre nevojiten rreth një milionë euro, andaj edhe kërkuan që mjetet e fundit që Qeveria e Kosovës i ka nda për këtë qëllim për veriun e vendit, të ndahen drejtë dhe sipas nevojës nëpër lagjet veriore, pa u favorizua asnjëra prej tyre.
“Qeveria e Kosovës po bënë mirë që kohëve të fundit po tregohet më e përkushtuar dhe  më e gatshme për të investuar në veriun e Mitrovicës dhe të vendit, sepse këtë e kemi merituar ngase kemi bërë rezistencë stoike për të mos lejuar ndryshimin e tërësishëm e të dhunshëm të realitetit në lagjet veriore dhe me këtë po na inkurajon që të qëndrojmë në pronat tona, andaj ndarja e mjeteve duhet të jetë e bazuar në kërkesat reale të lagjeve”, tha përfaqësuesi i lagjes, Fevzi Beqiri.
Në takim me kryetarin Kastrati, përfaqësuesit e “lagjes së Boshnjakëve, shtruan edhe çështjen e punësimit të të rinjve të lajges, çështjen e rregullimit të “Shtëpisë-Muze”, në kujtim të 23 shqiptarëve të vrarë të kësaj lagjeje gjatë luftës nga ekstremistët serbë, për të cilën u tha se nevojiten rreth 15.000 euro dhe se projekti është i gatshëm, si dhe çështjen e rindërtimit xhamisë në cepin veriore të urës kryesore mbi Ibër, të cilën ekstremistët e kishin rrafshuar me tokë gjatë luftës.
Kur është fjala tek punësimi i të rinjve nga lagja, ata thanë se nuk është mirë që bie fjala në zyrën e ofiçarisë së hapur para disa javësh, të mos punësohet askush nga lagja, duke kërkuar njëkohësisht që në “Shtëpinë-Muze”,  të punësohen disa të rinj me gjendje më të vështirë ekonomike.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, iu tha përfaqësuesve të “Lagjes së Boshnjakëve”, se të gjitha çështjet që ata i shtruan janë sfidë për vetë ata dhe për komunën dhe se ai i asnjëherë nuk i largon nga mendja problemet e tyre, por që realizimi i tyre kërkon kohë, pasi që nevojiten mjete të konsiderueshme buxhetore, të cilat planifikohen më përpara dhe sigurimi i të cilave kërkon angazhim dhe mobilizim, pasi që mundësitë vetjake të komunës për këtë janë të kufizuara.
“Unë kam kërkuar nga përfaqësuesit tuaj të mëparshëm që të sjellin në komunë listën prioritare të shtëpive që duhet rindërtuar, e cila listë më është dhënë me  78 familje që nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit dhe besoj se me angazhimin maksimal të të gjithëve, do të arrijmë që të sigurojmë mjete dhe në periodën e ardhshme t’i realizojmë kërkesat tuaja”, ka thënë kryetari Kastrati.