2011/07/20 - 12:00
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga drejtorët Mehdi Balal e Lulzim Zeqiri, ka vizituar “Lagjen e Boshnjakëve”, që gjendet në pjesën veriore të qytetit, ku me përfaqësuesit e lagjes, ka biseduar për shqetësimet e banorëve të kësaj lagjeje, për shkak të shtimit të presioneve ndaj tyre gjatë kohës së fundit, nga ana e strukturave paralele serbe, e sidomos për shkak të intensifikimit të përpjekjeve të Qeverisë së Serbisë për blerjen e pronave të shqiptarëve, me qëllim të spastrimit etnik të lagjes.
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga drejtorët Mehdi Balal e Lulzim Zeqiri, ka vizituar “Lagjen e Boshnjakëve”, që gjendet në pjesën veriore të qytetit, ku me përfaqësuesit e lagjes, ka biseduar për shqetësimet e banorëve të kësaj lagjeje, për shkak të shtimit të presioneve ndaj tyre gjatë kohës së fundit, nga ana e strukturave paralele serbe, e sidomos për shkak të intensifikimit të përpjekjeve të Qeverisë së Serbisë për blerjen e pronave të shqiptarëve, me qëllim të spastrimit etnik të lagjes.
Përfaqësuesi i lagjes, Florent Azemi, pasi ka falënderuar kryetarin Kastrati për vizitën dhe interesimin për t’i dëgjuar përfaqësuesit e lagjes, ka thënë se banorët shqiptarë që jetojnë në këtë lagje me popullatë të përzier, janë shumë të shqetësuar kohën e fundit, për shkak të shtimit të presioneve ndaj tyre nga ana e Qeverisë së Serbisë, e cila përmes strukturave paralele të saj që lirshëm funksionojnë aty, për t’i lëshuar pronat, me qëllim të spastrimit etnik të lagjes.
Ai i tha kryetarit Kastrati se Serbia ka shtuar përpjekjet për blerjen e pronave të shqiptarëve dhe ka intensifikuar ndërtimin e objekteve shumëkatëshe për banim në këto prona, për ta ndërruar kështu strukturën etnike të banorëve të lagjes në favor të serbëve e në dëm të shqiptarëve. Sipas tij në kohën e fundit janë shitur disa prona shqiptare dhe janë në Pazar e sipër edhe disa të tjera.
Anëtari tjetër i këshillit të lagjes, Fevzi Beqiri tha se qe plotë 13 vjet, shqiptarët që jetojnë në këtë lagje bëjnë një jetë jo të dinjitetshme për shkak të sulmeve, presioneve, provokimeve dhe dhe problemeve tjera të shumta e të lloj-llojshme që ua shkaktojnë ekstremistët serbë dhe strukturat paralele të Qeverisë së Serbisë, të cilat e kanë marrë ligjin në duar dhe e diktojnë situatën politike e të sigurisë në lagje.
Zymer Ismajli i tha kryetarit Kastrati se familjet që ende jetojnë në lagje, çështje prioritare e kanë mbijetesën dhe qëndrimin këtu. “Institucionet lokale dhe ato në nivel vendi duhet të na mundësojnë mbetjen tonë në lagje duke u angazhuar konkretisht në eliminimin e problemeve të natyrës së sigurisë, të lëvizjes e qarkullimit të lirë dhe përmirësimin e kushteve të jetës. Ndërkaq, vendosmëria jonë për të qëndruar këtu nuk ka munguar tash e 13 vjet dhe nuk do të mungojë as në të ardhmen, po qese ju na ndihmoni”, tha ai.
Në fund, kërkesat prioritare të përfaqësuesve të “Lagjes së Boshnjakëve” ishin që menjëherë të ndërpriten ndërtimet shumëkatëshe të strukturave paralele serbe dhe që policia speciale e Kosovës të vendoset në lagje të banuara me shqiptarë, pasi që policët serbë haptas deklarojnë se punojnë edhe për MUP-in serb.
Pastaj, thanë përfaqësuesit e lagjes, Qeveria e Kosovës duhet të ndajë një fond të posaçëm për rindërtimin edhe të 80 shtëpive shqiptare, që në institucionet e Republikës së Kosovës që funksionojnë në lagje, të punësohen të rinj shqiptarë nga kjo lagje, që të rinjtë e lagjes të kenë prioritet që të punësohen edhe në institucionet dhe kompanitë tjera publike në komunë etj.
Ata kërkuan edhe një takim të përbashkët me këshilltarët e Kuvendit të Komunës dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, me në krye kryeministrin Hashim Thaçi, në të cilin do të definoheshin qartë prioritet dhe masat për ndërprerjen e trendëve negative në të gjitha fushat në këtë lagje.
Kryetari Kastrati pasi përgëzoi banorët e lagjes për qëndrim dinjitoz në pronat e tyre, ndonëse vazhdimisht janë ballafaquar me probleme të shumta e të rënda të të gjitha natyrave, ju tha atyre se ata duhet të kenë durim, sepse gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Ai u premtoj ndihmën dhe përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, si të atyre në nivel lokal, ashtu edhe të atyre në nivel vendi.
“Të gjitha kërkesat tuaja janë plotësisht të arsyeshme dhe njerëzore. Disa nga këto mund të realizohen vetëm me përkushtim e vendosmëri të përbashkët, kurse disa sosh nuk mund të realizohen pa mjete buxhetore, të cilat për institucionet tona janë problem kryesor. Por, sidoqoftë ju garantoj se tërë vëmendjen dhe përkushtimin tonë do e drejtojmë këtu tek ju dhe besoj se gjendjen do ta ndryshojmë për të mirë, ndërkohë që jeta e juaj do të bëhet më e lehtë”, tha Kastrati.