Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryetari Kastrati dënon ashpër vrasjen e dy ushtarëve amerikanë

2011/03/03 - 12:00

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka reaguar ashpër pas njoftimeve për rastin e vrasjes së dy ushtarëve amerikanë në Gjermani, nga një person që dyshohet të ketë prejardhje nga Mitrovica. Ai e ka dënuar këtë rast, ku pos dy të vrarëve, kanë mbetur të plagosur edhe dy ushtarë të tjerë. Ai ka shprehur ngushëllime për familjet e dy ushtarëve të vrarë, për qeverinë amerikane dhe për popullin amerikan. “Ky është një rast që na ka prekur rëndë të gjithëve, si drejtues institucionesh, si Kosovë dhe si komb, meqë kjo nuk është në traditën shqiptare”.   

Kryetari Kastrati ka çmuar lartë mbështetjen e vazhdueshme të popullit amerikan për Kosovën, si para, gjatë dhe pas luftës. “Populli i Kosovës mbetet falënderues përgjithmonë për popullin amerikan për ndihmën e vazhdueshme që kanë ofruar”.

Ai shprehet i sigurt se ky rast në asnjë mënyrë nuk shpreh disponimin e Kosovës karshi vlerave amerikane, përkundrazi çmon ato dhe mbetet populli më proamerikan në botë. Gjithashtu ai ka shfaqur bindjen se ky rast nuk do të ndikoj assesi në raportet dhe miqësinë e përjetshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.