Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryetari Kastrati me bashkëpunëtorë vizitoi disa shkolla me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor

2010/09/01 - 12:00

Kreyatri Kastrati në të gjitha shkollat që i vizitoi tha se komuna dhe Qeveria e Kosovës po bëjnë përpjekje jashtëzakonisht të mëdha për të përmirësuar kushtet e punës nëpër institucionet e arsimit, të të gjitha niveleve, andaj edhe rezultatet e arritura në këtë drejtim janë të dukshme dhe të prekshme nga të gjithë.

Mitrovicë, 1 shtator
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga nënkryetari Rizah Haziri dhe drejtori i Drejtorisë për Arsim, Ali Bejta, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ka vizituar disa shkolla të komunës, për të ua uruar nxënësve dhe mësimdhënësve fillimin e mësimit dhe për të parë nga afër se në çfarë kushtesh do të punojnë ata gjatë këtij viti shkollor.
Kreyatri Kastrati në të gjitha shkollat që i vizitoi tha se komuna dhe Qeveria e Kosovës po bëjnë përpjekje jashtëzakonisht të mëdha për të përmirësuar kushtet e punës nëpër institucionet e arsimit, të të gjitha niveleve, andaj edhe rezultatet e arritura në këtë drejtim janë të dukshme dhe të prekshme nga të gjithë.
Edhe me këtë rast kryetari Kastrati kërkoi nga mësimdhënësit që të përpiqen maksimalisht për realizimin e plan-programeve mësimore, kurse nga nxënësit që të mësojnë pa përtesë, sepse tani i kanë kushtet dukshëm më të mira për punë dhe mësim, pasi që tekstet për shkollat fillore janë falas, ndërsa që edhe objektet ku mbahet mësimi janë të reja ose të  meremetuara dhe të pajisura me inventar të nevojshëm.
Po ashtu ai kërkoi nga të dyja palët që të përkujdesen maksimalisht për ruajtjen e objekteve shkollore, në mënyrë që ati të mos dëmtohen.
Ndonëse komuna me kohë kishte marrë masa që të gjitha objektet shkollore të jenë të gatshme për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, kjo për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë së kompanive fituese të tenderëve për meremetim apo ndërtim të anekseve, kjo nuk ndodhi, pasi që disa shkolla nuk mundën ta fillojnë vitin e ri shkollor.
Kështu, për shkaqe të lartë përmendura, mësimi nuk filloi të mërkurën në gjimnazin “Frang Bardhi” e në objektin shkollor ku mbajnë mësim shkollat “Eqrem Çabej” e “Nonda Bulka”,  si dhe në dy anekset që ishin parapa të ndërtohen, të shkollave “Ismajl Qemajli” dhe “Skënderbeu”.
Drejtori i Drejtorisë për Arsim të Kuvendit të Komunës, Ali Bejta, tha se mësimi në këto shkolla do të filloj të hënën, më 06.09.2010. Ai tha se sivjet në komunën e Mitrovicës mësimet do t’i ndjekin rreth 20.000 nxënës, me të cilët do të punojnë 1.670 mësimdhënës.
Për herë të parë gjatë këtij viti shkollor, nxënësit e paralagjes veriore të qytetit Suhadoll, mësimet do t’i ndjekin në objektiin e ri shkollor të ndërtuar aty, që ka kushtuar  rreth 300.000 euro, para këto të investuara nga Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës. Deri tash këta nxënës mësimet i kanë vijuar në shkollat e qytetit në pjesën jugore dhe shpeshherë kanë qenë të rrezikuar gjatë udhëtimit, për shkak të trazirave dhe incidenteve që ndodhnin në pjesën veriore të qytetit.
Për përgatitjen sa më të mirë të objekteve shkollore për këtë vit shkollor, zgjerimin dhe meremetimin e tyre,  janë shpenzuar gjithsejtë 547.000 euro, prej të cilave komuna i ka sigurua nga buxheti i vet 277.000 euro dhe USAID-i 270.000 euro.