Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryetari Kastrati priti drejtuesit e AKK-së

2011/04/18 - 12:00

Pjesëmarrësit në takim u dakorduan që të amendamentohet Ligji për Ndërmarrjet Publike, në mënyrë që të mundësohen zgjidhje më praktike dhe me interes për komunat e qytetarët e tyre. Ata po ashtu thanë se është mirë që pagesa e stafit politik nëpër komuna të rregullohet me ligj dhe që të ketë një bashkëpunim edhe më të mirë e më të fuqishëm ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror.

Mitrovicë, 18 prill
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka pas një takim me kryetarin e komunës së Ferizajt, njëherësh kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), i cili shoqërohej nga Naim Ismajli,   kryetar i komunës së Shtimes e anëtar i Bordit të AKK-së dhe Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i AKK-së, me çrast kanë biseduar për çështje me rëndësi nga fushëveprimi i këtij asociacioni.

Kryetari Kastrati i ka njoftuar fillimisht mysafirët me zhvillimet e fundit në komunë, për përpjekjet që pushteti lokal po bënë për realizmin e planeve të aprovuara të punës, si dhe për disa brenga e probleme që janë të njëjtat për të gjitha komunat e Kosovës e që mund të trajtohen edhe nga AKK-ja, me qëllim të tejkalimit të tyre dhe funksionimit më të mirë të pushteteve lokale.

Ndër çështjet më të rëndësishme që aktualisht po i brengosin komunat e Kosovës e për të cilat diskutuan kryetari Kastrati dhe përfaqësuesit e AKK-së, me në krye Xhemajlin, ishin Ligji për Ndërmarrjet Publike, problemet lidhur me dhënien e tokës komunale në shfrytëzim, centralizimi i inspekcionit të tregut, pagesa e stafit civil nëpër komuna etj.

Kryetari i AKK-së, Bajrush Xhemajli tha se asociacioni që ai e drejton është duke i përcjell me vëmendje brengat dhe sfidat e komunave, andaj edhe ai i ka intensifikuar kontaktet me drejtuesit e komunave, me qëllim që të gjenden mënyra dhe rrugë të përbashkëta për inicimin e zgjidhjeve të përbashkëta për të gjitha komunat.