2010/08/17 - 12:00
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati dhe nënkryetari Rizah Haziri, kanë pritur të martën kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava me bashkëpunëtorë, me të cilët ka biseduar për disa çështje aktuale me interes të përbashkët.
Mitrovicë, 17 gusht
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati dhe nënkryetari Rizah Haziri, kanë pritur të martën kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava me bashkëpunëtorë, me të cilët ka biseduar për disa çështje aktuale me interes të përbashkët.
Myftiu Tërnava i bëri një vështrim të gjerë gjendjes në Bashkësinë Islame të Kosovës, me theks të posaçëm me gjendjen e rëndë të rreth dy mijë punëtorëve të kësaj bashkësie, si pasojë e mungesës së mjeteve materiale për pagat e tyre.
Tërnava tha se Bashkësisë Islame të Kosovës, në të kaluarën sistemi komunist dhe okupatori serb ia ka konfiskuar rreth 90 për qind të pronave të saj, duke shtuar se fatkeqësisht ka tendenca që këto prona ti konfiskohen edhe pas lufte.
Pikërisht tha kryemami Tërnava ka ardh në Mitrovicë për të biseduar për tri prona të BI-së këtu, të cilat nuk mund t’i menaxhoj bashkësia për shkaqe të ndryshme dhe si pasojë e kësaj është shumë e dëmtuar.
Myftiu Tërnava i tha kryetarit Kastrati se fjala është për pronën afër hekurudhës, e cila ende shfrytëzohet nga një kompani private, por e cila evidentohet pronë e Kuvendit të Komunës, e që sipas tij tjetërsimi është bërë në kohën e masave të dhunshme në Kosovë.
“Prona e lartë përmendur deri në vitin 1997 ka qenë pronë e Bi-së dhe këtë të gjithë e dinë dhe ka dëshmi të bollshme si dhe dokumentacion të mjaftueshëm. Mirëpo, në vitin 1997 pushteti serb në mënyrë të paligjshme e ka bërë pronë të komunës, andaj ju lusim ju si drejtues i komunës që të na ndihmoni në kthimin e kësaj prone”, i tha kryetarit Kastrati, Myftiu Tërnava.
Si tjetër problem Tërnava përmendi edhe pronën e BI-së në Iliridë, e një pjesë e së cilës është uzurpuar nga disa individ dhe pronën afër stadiumit të qytetit, ku janë vendosur kioskat nga ish tregu i gjelbër, duke u bazuar në një marrëveshje mbi qiranë midis komunës dhe BI-së, qira të cilën BI-ja nuk është duke e marrë qe 16 muaj.
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, i tha Myftiut Tërnava se ai dhe komuna janë shumë të interesuar të bashkëpunojnë ngushtë me BI-në dhe t’i zgjidhin problemet e qytetarëve, pjesa dërmuese e të cilëve i përkasin besimit islam.
Sa i përket pronës afër stadiumit të qytetit, kryetari Kastrati tha se ashtu si edhe BI-ja, edhe komuna është e dëmtuar, sepse nuk merr asnjë cent nga shfrytëzuesit e kioskave. Ai tha se ka shumë probleme në lidhje me këtë, pasi që kioskat janë tjetërsuar dhe me vështirësi identifikohen pronarët e tyre, për t’i detyruar që t’i paguajnë obligimet komunale, me çka komuna do të lante borxhin BI-së.
Por, kryetari Kastrati premtoj se lidhur me këtë çështje do të bëhet një zgjidhje nga e cila të tria palët do të ndahen të kënaqur.
Sa i përket pronës afër hekurudhës, kryetari Kastrati tha se çështja është në gjykatë dhe se ai dhe komuna asnjëherë nuk i kanë bërë dhe nuk do t’i bëjnë presion gjykatës që të mos vendos në bazë të dokumentacionit që ka BI-ja dhe do ta respektoj çdo vendim të saj.
Ndërkaq, lidhur me pronat në Iliridë, kryetari Kastrati tha po ashtu se do të bisedoj me pronarët që kanë uzurpuar pronën eventuale të BI-së dhe se shpreson se edhe kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt dhe në favor të BI-së, duke u bazuar në dokumentacionit konkret.
Kastrati dhe Tërnava biseduan edhe për mundësinë e rindërtimit të xhamisë së Ibrit në cepin verior të urës kryesore, që gjatë luftës është rrafshuar me tokë nga ekstremistët serb.
Kryetari i BI-së, Myftiu Tërnava i tha kryetarit Kastrati se për këtë çështje ka biseduar edhe me shefin e ICO-së, Piter Feith dhe përfaqësues të institucioneve të tjera ndërkombëtare, nga të cilët ka kërkuar rindërtimin e xhamisë aty ku ka qenë.
Sipas Myftiut Tërnava, Feith i ka thënë atij, se për rindërtimin e kësaj xhamie duhet edhe pëlqimi i komunitetit serb dhe se në këtë aspekt ka ende probleme, por që megjithatë ai ishte shprehur se xhamia do të rindërtohet.