Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryetari Kastrati priti në takim ministrin Rexhepi

2011/02/24 - 12:00

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur të enjten në takim ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, me të cilin ka biseduar për gjendjen e sigurisë dhe rrethanat aktuale në këtë komunë. Bashkëbiseduesit janë pajtuar se situata në Mitrovicë kërkon një vëmendje të veçantë. Fillimisht kryetari Kastrati, e ka falënderuar ministrin Rexhepin, për vizitën e parë zyrtare në Mitrovicë pas riemërimit në postin e ministrit të Brendshëm. Ai i ka uruar suksese dhe ka vlerësuar përkushtimin e tij për Mitrovicën. “Angazhimi dhe përkushtimi juaj për Mitrovicën nuk ka munguar asnjëherë andaj ne çmojmë gjithë këtë që jeni duke bërë për qytetin tonë”.

Sa i përket gjendjes së sigurisë, kryetari Kastrati, ka thënë se javëve të fundit gjendja ka qenë më e qetë, përkundër disa incidenteve që kanë ndodhur në veri, por që nuk kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme. “Strukturat e sigurisë janë duke e menaxhuar mirë gjendjen, ama kërkohet vendosmëri edhe më e madhe për vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit”.

Ai ka vlerësuar lartë sjelljen dinjitoze dhe pjekurinë  e treguar nga qytetarët shqiptarë që jetojnë në veri të qytetit, të cilët përkundër provokimeve të vazhdueshme kanë ruajtur gjakftohtësinë. “Maturia e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në veri është për respekt të lartë. Ata përkundër problemeve të mëdha janë treguar shumë të përgjegjshëm”, tha kryetari Kastrari.

Ndërsa ministri Rexhepi, tha se Mitrovica dhe gjendja në veri paraqet prioritet për të si ministër i brendshëm, meqë situata kërkon një vëmendje të shtuar. “Jemi duke punuar që Policia e Kosovës së bashku me EULEX-in të arrijnë një nivel të lartë bashkëpunimi me qytetarët, në mënyrë që efikasiteti i luftimit të krimit të jetë më i lartë”.

Ministri Rexhepi, premtoi se Qeveria e Kosovës do të mbështes Mitrovicën dhe gjithë veriun në të gjitha fushat, në mënyrë që të krijohen kushte për jetë të qetë dhe dinjitoze për të gjithë qytetarët e Republikë së Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. “Në rend të parë do të punohet për vendosjen e rendit dhe ligjit, si parakusht për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt”.

Ai përmendi si hap të mirë në veri organizimin e patrullave shumetnike të Policisë së Kosovës, të cilët do të shtojnë besimin dhe bashkëpunimin me qytetarët, përkundër disa barrierave që janë duke u paraqitur në fillim.