Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryetari Kastrati priti zëvendëskryeministrin Sllobodan Petroviq

2011/08/16 - 12:00

Kryetari Kastrati e njoftoi zëvendëskryeministrin Petroviq me drejtuesit e OJQ-së, Faruk Korenica, aktualisht kryeprokuror komunal i Mitrovicës, Dr. Prof. Sreten Stoilkoviq, profesor universiteti dhe Agim Deva, intelektual i njohur nga Mitrovica.
Ai i tha zëvendëskryeministrit Petroviq, se kjo është shoqata e parë multietnike në Mitrovicë, që ka për synim bashkimin e intelektualëve nga të dyja pjesët e qytetit me qëllim  që të punojnë për të mirën e shqiptarëve, serbëve, boshnjakëve, turqve dhe të gjithë të tjerëve që jetojnë në këtë komunë dhe për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë.
 

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, ka qëndruar të mërtën në Mitrovicë, me çrast është pritur  nga kryetari i Komunës, Avni Kastrati. Në takim ishin të pranishëm edhe drejtuesit e OJQ “Qytetarët e Mitrovicës”, një shoqatë kjo multietnike e formuar nga intelektual shqiptarë, serbë, boshnjak e të tjerë.
Temë kryesore në këtë takim ishte angazhimi i shoqërisë civile në krijimin e një klime mirëbesimi midis pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në komunë, me qëllim të ndërtimit të raporteve dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.
Kryetari Kastrati e njoftoi zëvendëskryeministrin Petroviq me drejtuesit e OJQ-së, Faruk Korenica, aktualisht kryeprokuror komunal i Mitrovicës, Dr. Prof. Sreten Stoilkoviq, profesor universiteti dhe Agim Deva, intelektual i njohur nga Mitrovica.
Ai i tha zëvendëskryeministrit Petroviq, se kjo është shoqata e parë multietnike në Mitrovicë, që ka për synim bashkimin e intelektualëve nga të dyja pjesët e qytetit me qëllim  që të punojnë për të mirën e shqiptarëve, serbëve, boshnjakëve, turqve dhe të gjithë të tjerëve që jetojnë në këtë komunë dhe për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Faruk Korenica i tha zëvendëskryeministrit Petroviq se gjatë këtyre 12 viteve të pasluftës forcat e shëndosha dhe ato intelektuale në veri të komunës janë nën hijen e atyre që nuk ua duan të mirën qetarëve dhe qytetit të Mitrovicës, andaj qëllimi i formimit të OJQ-së është që kjo gjendje të tejkalohet dhe të krijohet një klimë tjetër dhe raporte shumë më të mira ndërmjet qytetarëve të përkatësive të ndryshme etnike.
Ai tha se është bindur se edhe qytetarët e thjeshtë, si në veri, ashtu edhe në jug të qytetit, janë për bashkëjetesë dhe për raporte të mira ndëretnike dhe se një numër i madh intelektualësh kanë shprehur haptas gatishmërinë që të bashkohen në këtë shoqatë dhe të punojnë për të mirën e qytetit në tërësi dhe qytetarëve në përgjithësi.
Korenica përmendi edhe takimin e parë që është mbajtur midis mjekëve shqiptarë dhe atyre serbë, për të cilin tha se ka qenë jashtëzakonisht i mirë dhe ka kaluar në atmosferë shumë miqësore. Në takim u theksua edhe gatishmëria e një kirurgu serbë i  njohur në tërë Ballkanin, që me ekipin e tij të vijë e të bëjë operacione në spitalin e sapondërtuar në pjesën jugore të qytetit.
Përveç kësaj, tha Korenica, OJQ “Qytetarët e Mitrovicës”, ka përgatit një sërë projektesh që do të ndihmonin bashkimin e qytetarëve, duke e theksuar edhe atë për rindërtimin e Mullirit të Vjetër, që dikur ishte simbol i Mitrovivës, e që gjendet në cepin verior të lumit Ibër. Ai tha se në të do të mund të organizoheshin aktivitete të ndryshme kulturore dhe mediave, në të cilat do të merrnin pjesë qytetarët e të gjitha komuniteteve.
Dr prof Sreten Stoilkoviq tha se është i gëzuar që në shoqatë janë bashkuar intelektual të shquar shqiptarë, serbë e të tjerë, të të gjitha profileve, si mjek, juristë, profesorë, artistë etj, të cilët me këtë po e tregojnë përkushtimin e tyre për ruajtjen e qytetit të Mitrovicës ashtu si ka qenë.
Ndërkaq Agim Deva, tha se Mitrovica ka qenë e njohur për bashkëjetesë dhe se tani intelektualët e shumtë kanë shprehur gatishmërinë që të ndërtojnë një ardhmëri të përbashkët e më të mirë për të gjithë.
Zëvendëskryeministri Petroviq u shpreh të jetë i lumtur me formimin dhe synimet e kësaj OJQ-je dhe sidomos me projektet e përgatitura që tregojnë për përkushtimin e intelektualëve mitrovicas për të jetuar bashkërisht në qytetin e tyre.
Ai tha se OJQ “Qytetarët e Mitrovicës”, do ta ketë mbështetjen e tij të plotë dhe të Ministrisë që ai e drejton dhe se do të bisedojë me donatorët me të cilët ka bashkëpunim të mirë, për përfituar donacione për realizimin e projekteve të OJQ-së.
Petroviq kërkoi nga drejtuesit e OJQ-sq që të kenë një strategji serioze dhe njerëz me përvojë për thithjen e donacioneve dhe grumbullimin e mjeteve. Ai ju tha atyre se projektet e përmendura, nuk janë vetëm interes i qytetarëve të Mitrovicës, por edhe i tërë shoqërisë kosovare.
Sa i përket ndihmës dhe mbështetjes, zëvendëskryeministri Petroviq tha se ajo nuk do të mungojë në asnjë mënyrë dhe se do të angazhohet edhe me shumë për realizuar synimet e drejta, njerëzore dhe demokratike të kësaj OJQ-je.