Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryetari Kastrati takoi banorët e Kodrës së Minatorëve

2010/09/21 - 12:00

Kryetari i komunës, Avni Kastrati dhe nënkryetari Rizah Haziri, kanë pas një takim me përfaqësuesit e familjeve shqiptare që aktualisht jetojnë në lagjen veriore “Kodra e Minatorëve”, në të cilin është biseduar për gjendjen e sigurisë pas vrasjes së banorit të kësaj lagjeje Hakif Mehmeti dhe për çështjet tjera jetike të tyre në lagjen me më së shumti probleme në tërë vendin. Në takim ishin të pranishëm edhe drejtori i Drejtorisë të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Sami Shabanaj me bashkëpunëtorët e tij, Nysret Ahmeti dhe Avni Zahiti. Nënkryetari i komunës, Rizah Hairi, i njoftoi fillimisht të pranishmit me përpjekjet që kryetari i komunës dhe ai kanë bërë, përmes takimeve me përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, pasi që ajo pjesë e komunës ende administrohet nga UNMIK-u dhe institucionet e komunës legjitime nuk kanë kurrfarë kompetencash atje, për të ndërmarrë masa konkrete që do të ua lehtësonin jetën e rëndë që ata janë duke e bërë.

“Ne asnjëherë nuk na ka munguar angazhimi dhe vullneti për të ju ndihmuar juve që jetojnë në kushte të rënda nëpër lagjet veriore, e sidomos ju në “Kodrën e Minatorëve”, por duhet ta dini se kemi pengesa serioze, pasi që pjesa veriore e qytetit është ende nën administrim të UNMIK-ut, gjë që i pamundëson angazhimet tona për të ndërmarrë masa të domosdoshme e konkrete që do të ua lehtësonin jetën në pronat tuaja, të cilat ju për asnjë çast nuk keni hezituar t’i lëshoni”, ka thënë nënkryetari Haziri.

Mirëpo, përfaqësuesit  e familjeve që jetojnë në “Kodrën e Minatorëve”, të pranishëm në takim, kanë folur edhe  njëherë para drejtuesve të komunës dhe atyre të policisë për vuajtjet, ngjarjet tronditëse dhe tmerret që janë duke i përjetuar, si pasojë e veprimit të pa ndërpre të grupeve kriminale serbe dhe strukturave paralele të Republikës së Serbisë, siç thanë ata, para syve të KFOR-it, policisë së EULEX-it dhe policisë së Kosovës.

Kërkesa e tyre kryesore dhe e njëzëshme ishte që të hapet një nënstacion i policisë në lagje dhe që të ndërpritet veprimtaria kriminale e ekstremistëve serbë dhe veprimtaria joligjore dhe ilegale e strukturave paralele serbe.

Halim Azemi tha se vetëm nga qershori i këtij viti e deri tash, ka pas një vrasje dhe gjashtë raste të rrahjeve të shqiptarëve, nga ana e ekstremistëve serbë, ku lëndime të rënda e të lehta kanë pësuar mbi dhjetë shqiptarë. “Jemi në hall të madh, andaj ose na ofroni siguri, ose të gjithë do të zhvendosemi nga atje”, tha ai.

Hajriz Kelmendi, tha se shqiptarët që jetojnë në këtë lagje, ende nuk e din se çka është pavarësia e Kosovës, sepse atje ajo nuk hetohet. Atje veprojnë institucionet e Serbisë, pa asnjë pengesë. “Ekstremistët serbë shëtisin lirshëm nëpër lagje të armatosur dhe kur të duan provokojnë,  rrahin e vrasin shqiptarë dhe nuk u mungon as qimja e flokut. Kemi pas shpresa tek EULEX-i, por edhe ai ka dështuar. Kjo duhet të marrë fund, ose ne do largohemi nga andej”, tha ai.

Brahim Ferati tha se tri herë serbët e kanë sulmuar shtëpinë e tij me bomba dhe vetëm falë Zotit, nuk kanë pësuar anëtarët e familjes. “Një herë ishin aty pranë policët e EULEX-it dhe unë u gëzova, sepse thash se jemi të sigurt. Por nuk voni e para shtëpisë time erdh një grup ekstremistësh e u ndal. Policia e EULEX-it, kur i pa që janë shumë ikën, kurse ata filluan të shtinë me armë në muret e shtëpisë. Ishte tmerr dhe tmerre të këtilla kam pas tepër shumë gjatë këtyre viteve”, u shpreh ai.

Miftar Hajdari tha se policia e jonë duhet të qëndrojë në lagje, sepse kur po është aty, po ndihemi më të sigurt, kurse Besnik Pllana tha se gjendjen në lagjen tonë do të duhej ta trajtoj edhe Parlamenti i Kosovës, e lëre më institucionet tjera. “Ne na duhet siguri mbi të gjitha”, tha ai.

Hyrishahe Hyseni, e cila ka përjetuar shumë sulme të ekstremistëve serbë, tha se të jetosh në lagje ku ajo ka jetuar, do të thotë të vuash e të jetosh në mjerim.”Mirëpo, të gjitha këto i kam durua dhe do t’i duroj, sepse kjo është tokë e imja. Por, ama siguri duhet të na ofrohet nga policia e Kosovës, në të cilën kemi besim, sepse të tjerët jo që nuk na kanë mbrojtur, por kanë kërkuar që të largohemi nga lagja”, tha ajo.

Ridvan Cerani, i cili para dy muajsh është rrahur brutalisht nga ekstremistët serbë, duke i shkaktuar lëndime të rënda, tha se atëherë ju ishte premtuar siguri më  e madhe. “Na thanë se do të keni siguri, Por, ajo nuk erdhi, por u bë edhe më keq, sepse tashmë u vra edhe një shqiptar. Më mirë është të mos na premtohet ajo që nuk mund të realizohet, sepse ne po mashtrohem e po pësojmë më keq. Në lagje patjetër duhet të ketë nënstacion policor, ndryshe nuk mund të jetohet në lagje”, u shpreh ai.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë Rajonale në Mitrovicë, Sami Shabanaj, tha se i është i ri në këtë detyrë, por se i kutpon shumë mirë shqetësimet e banorëve dhe për këtë ndjen keqardhje. Ai tha se për të pas ata siguri duhet të veproj sistemi policor dhe këtë po tenton ta bëjë. “Kemi shtuar numrin e policëve shqiptarë në atë pjesë dhe kështu do vazhdojmë. Gjithsesi do të ketë përparime në këtë drejtim, por na duhet edhe ndihma dhe bashkëpunimi i juaj”, tha ai.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, duke e mbyllur takimin, ju tha përfaqësuesve të “Kodrës së Minatorëve” se është fatkeqësi ajo që po përjetoni ju në pronat tuaja dhe se gjithsesi është për keqardhje që sot të bisedohet për probleme të tilla të rënda, të cilat ishte dashur të tejkalohen moti. “Asnjëherë nuk më largohen nga mendja për shkak të probleme me të cilat ballafaqoheni. Kam bërë shumë përpjekje për të gjetur zgjidhje, për të ua lehtësuar jetën juve që jetoni në lagjet veriore. Do të bëjmë çmos që të rritet siguria në lagjen tuaj. Ju keni durua shumë dhe besoj se vuajtjeve tuaja po i vije fundi”, tha kryetari Kastrati.