2010/05/13 - 12:00
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati i shoqëruar nga nënkryetari, Riza Haziri, drejtori i Arsimit, Ali Bejta dhe drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani, kanë pritur të mërkurën në takim ekipin e basketbollistëve të përbërë nga nxënësit e shkollës fillore “Abdullah Shabani”, të cilët kanë nxënë vendin e parë në garat që janë mbajtur në nivel të Republikës së Kosovës.
Kryetari Kastrati, ju ka uruar për suksesin që kanë arritur nxënësit e kësaj shkolle në këto gara, duke thënë se ata e kanë nderuar shkollën e tyre, por edhe qytetin e Mitrovicës. “Ju keni treguar për punën e mirë që bëhet në shkollën tuaj sa i përket lëndës së kulturës fizike”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani, ka thënë se drejtoria që ai udhëheq do të vazhdoj përkrahjen për sportistët e rinj, ashtu si për këtë garë ku ky ekip i basketbollistëve të shkollës fillore “Abdullah Shabani” ka treguar sukses mjaft të mirë.
Ndërsa drejtori i kësaj shkolle, Haki Shyti, ka falënderuar drejtuesit e komunës për përkrahjen, duke thënë se në këtë mënyrë janë edhe më të motivuar për punë dhe suksese në të gjitha drejtimet.