Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryetari Kastrati vizitoi familjen e Imer Fejzullahut të zhdukur

2011/08/12 - 12:00

Kryetari Kastrati ju ka thënë familjarëve të Imerit se ka ardhur për të ndarë bashkë me ta brengat dhe shqetësimet në këto ditë të vështira për shkak të zhdukjes së  mistershme të familjarit të tyre. Ai ka thënë se ndonëse gjatë këtyre nëntë ditëve ende nuk ka asnjë gjurmë dhe informatë për fatin dhe vendndodhjen e tij, shpreson se Imeri do të gjendet shëndoshë e mirë.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga nënkryetari Rizah Haziri dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Kuvendit të Komunës, Behxhet Bala, ka vizituar familjen e Imer Fejzullahut, pjesëtar i UÇK-së, i punësuar në Kompaninë “Ujësjellësi Rajonal”, i cili është zhdukur para nëntë ditësh.
Kryetari Kastrati ju ka thënë familjarëve të Imerit se ka ardhur për të ndarë bashkë me ta brengat dhe shqetësimet në këto ditë të vështira për shkak të zhdukjes së  mistershme të familjarit të tyre. Ai ka thënë se ndonëse gjatë këtyre nëntë ditëve ende nuk ka asnjë gjurmë dhe informatë për fatin dhe vendndodhjen e tij, shpreson se Imeri do të gjendet shëndoshë e mirë.
Po ashtu, ai ju ka premtuar familjarëve se do jetë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e organeve të  rendit për tu informuar se si po shkojnë hetimet dhe se do t’i inkurajojë ata dhe pjesëtarët e FSK-së që të vazhdojnë me kërkimin e Imerit.
Kryetari Kastrati, ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të komunës që të ndihmojë familjen Fejzullahu për të gjitha kërkesat eventuale që ajo ka. Kështu, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Kuvendit të Komunës, ka ndarë 500 euro si ndihmë për të zbutur problemet që familja ka në këto ditë të vështira.
Familjarët e Imerit, pasi e kanë falënderuar për përkujdesje dhe mbështetje në këto momente të rënda për ta, i kanë thënë kryetarit Kastrati  se ata nuk kanë qenë në konflikt dhe nuk kanë pas asnjë problem me askënd, se nuk i kanë kurrfarë borxhi kurrkujt dhe se djali i tyre Imeri nuk ka treguar kurrfarë shenjash shqetësimi, prandaj edhe nuk  kanë asnjë përfytyrim se çka ka mund të ndodh me të.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala bëri të ditur se përveç automjetit të Imerit, që është gjendur në stacionin e pompave të ujit në Tunelin e Parë, nuk ka ende kurrfarë gjurmësh për të. Ai tha se deri tash pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe ata të FSK-së kanë kërkuar në të gjitha hapësirat e këtij vendbanimi, për të vazhduar në malet e rajonit të Shalës së bajgores, por që asgjë që do të mund të çonte drejt gjurmëve se çka ka ndodhur me të, nuk kanë gjetur.