Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kurorë lulesh tek shtatorja e Nënës Terezë

2010/09/01 - 12:00

Nëna Terezë, para së cilës edhe bota u përkul, ishte ikonë e kohëve moderne, ishte simbol i besimit dhe përtëritjes shpirtërore të njeriut

Mitrovicë, 1 shtator
Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së humanistes së madhe shqiptare, Nëna Terezë, të mërkurën në Mitrovicë arriti një delegacion marshues i PSHDK-së, për të vu kurora lulesh tek  shtatorja e humanistes së madhe shqiptare, që gjendet afër objektit të Kuvendit të Komunës.
Organizatorët e marshit thanë se Mitrovica nuk është zgjedhur rastësisht si qytet i parë ku do të vihen kurora të luleve tek shtatorja e Nënës Terezë. Frrok Kristaj, anëtar i këshillit për organizimin e marshit të PSHDK-së, tha se në përvjetorin e 100-të të lindjes së Nënës Terezë, Mitrovicës është zgjedhur qyteti i për ta vizituar, pasi që ky qytet njihet si qytet i diellit prej kohës ilire dhe se aty është dheu i nënës.
Marjan Demaj, kryetar i PSHDK-së, duke folur për figurën, jetën dhe veprën e Nënës Terezë citoi fjalët e ish presidentit të SHBA-së Bill Klinton të thëna për humanisten shqiptare, se ajo ishte e para që e ka mësua ta dojë kombin shqiptar dhe se tani për këtë ndjehet krenar që e ka plotësua një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave universale të lirisë.
“Nëna Terezë nuk u lind rastësisht, jo vetëm si shqiptare, por edhe si përfaqësuese e njerëzimit, ndaj nuk mund të ketë emancipim të shqiptarëve pa Nënën Terezë”, ka thënë Demaj.
Sipas tij, Nëna Terezë, para së cilës edhe bota u përkul, ishte ikonë e kohëve moderne, ishte simbol i besimit dhe përtëritjes shpirtërore të njeriut, bile me legjendarizimin e saj kapet edhe imazhi i Rozafës.
Ali Topalli, duke folur në emër të qytetarëve të Mitrovicës, ka falënderuar delegacionin që pikërisht Mitrovica është zgjedhur si e para për fillimin e manifestimit për 100 vjetorin e lindjes së Nënës Terezë.
“Sot mbarë bota kremton këtë festë, andaj ndjehemi krenarë që jemi bijtë e Nënës Terezë”, u shpreh ai.
Marshi i PSHDK-së ka vazhduar gjatë ditës edhe nëpër qytetet tjera të Kosovës.