2010/08/13 - 12:00
“Jam këtu në Mitrovicë për të ju informua se menjëherë do të fillojnë përgatitjet për rivarrimin e Heroit Isa Boletini dhe se për këtë aktivitet jam konsultuar dhe e kam marrë përkrahjen edhe nga kryetari i vendit Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi”, i ka thënë Ministri i Kulturës, Sportit dhe Rinisë, Lutfi Haziri, kryetarit të komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, gjatë vizitës që ai i bëri qytetit të Mitrovicës dhe Boletinit, të premten.
Mitrovicë, 13 gusht
“Jam këtu në Mitrovicë për të ju informua se menjëherë do të fillojnë përgatitjet për rivarrimin e Heroit Isa Boletini dhe se për këtë aktivitet jam konsultuar dhe e kam marrë përkrahjen edhe nga kryetari i vendit Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi”, i ka thënë Ministri i Kulturës, Sportit dhe Rinisë, Lutfi Haziri, kryetarit të komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, gjatë vizitës që ai i bëri qytetit të Mitrovicës dhe Boletinit, të premten.
Duke thënë se ka ardhur koha për rivarrimin e eshtrave të Heroit Kombëtar Isa Boletini, Ministri Haziri ka shtuar se Ministria që ai e drejton dhe Komuna e Mitrovicës do të bashkëpunojnë ngushtë për realizimin e këtij qëllimi dhe se të gjitha aktivitetet lidhur me këtë do të koordinohen në Mitrovicë, ku do të hapet një zyrë e posaçme, në të cilën do të punojnë të gjithë ata që do të angazhohen dhe Këshilli për rivarrim.
I shoqëruar nga kryetari Kastrati dhe nipi i Isas, Xhavit Boletini, në Kullën e Isa Boletinit, Ministri Haziri ka thënë se ky angazhim do të jetë në kuadër të vlerave të mëdha të Isa Boletinit dhe Qeveria e Kosovës ka buxhet të mjaftueshëm për të bërë të mundur realizimin e rivarrimit. Ai ka bërë të ditur se rivarrimi i eshtrave planifikohet të bëhet më 23 Janar të viti të ardhshëm.
Ndërkaq, kryetari Kastrati pasi ka shpreh kënaqësinë e tij për lajmin që mori nga Ministri Haziri, ka thënë se ai dhe komuna nuk do të kursejnë asgjë për ta realizuar sa më me sukses rivarrimin e eshtrave të Heroit Isa Boletini. Ai ka shtua se të gjitha obligimet e veta, komuna do i realizoj me kohë.
Xhavit Boletini, nipi i Heroit Isa, tha se ka besim tek Ministri Haziri, andaj është i lumtur që më në fund eshtrat e Isas do të rivarrosen aty ku duhet, në vendlindjen e tij.
Gjatë qëndrimit të disaorësh të Ministrit Haziri në Mitrovicë, ai dhe kryetari Kastrati kanë biseduar në shtëpinë e imamit Mulla Asllan Murati, për përgatitjet që duhet bërë për rivarrimin e eshtrave të Heroit Isa Boletini, pasi është ky imam i cili i ka rivarrosur eshtrat e tij në një vend të caktuar, për t’i ruajtur deri në rivarrim.
Mulla Asllani është shprehur të jetë i gëzuar për lajmin q ia kumtoi Ministri Haziri dhe tha se eshtrat janë në vend të sigurt dhe të identifikuar.
Mëpastaj kryetari Kastrati dhe Ministri Haziri kanë vizituar edhe stadiumin e KF “Trepça”, që ditë më parë fitoi superkupën e Kosovës, ku kanë biseduar me drejtues të klubit. Ndërsa në fund, ata, kanë vizituar edhe lagjen veriore të qytetit “Kroi i Vitakut”, ku janë kthyer dhjetëra familje shqiptare dhe ku po vazhdon rindërtimi i shtëpive të tjera shqiptare.