Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Me aktivitete të shumta u shënua Dita e Dëshmorëve në Mitrovicë

2011/06/06 - 12:00

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka organizuar aktivitete të ndryshme kushtuar “6 Qershorit – Ditës së Dëshmorëve të UÇK-së në Komunën e Mitrovicës” . Aktivitetet që mbahen nën patronatin e kryetarit të Komunës, Avni Kastrati, kanë nisur të dielën me një turne në futboll të vogël që është mbyllur të hënën. 
Të hënën gjithashtu kryetari i komunës, i shoqëruar nga nënkryetari, Riza Haziri dhe drejtorët e drejtorive komunale, kanë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Shipol. Gjithashtu ata kanë qëndruar edhe në Bajgorë, ku kanë bërë homazhe tek varri i dëshmorit, Mehë Uka.

Gjatë takimit me familjarët e dëshmorëve, kryetari Kastrati, ka shprehur respektin për gjithë dëshmorët e kombit, duke i cilësuar ata si themeltar të lirisë dhe pavarësisë. “Kanë kaluar 12 vite që ne frymojmë të lirë. Biem dhe zgjohemi pa frikë në shtëpitë tona dhe në atdheun tonë që quhet Kosovë. Dhe çdo ditë përjetojmë jetën e dinjitetshme që nuk e kishim me shekuj”.

Ai theksoi  se përditë ndihet rëndësia e sakrificës dhe luftës heroike të bijve më të devotshëm të kësaj toke, të cilët me gjakun e tyre i dhanë jetë lirisë. “Ndjehemi të fortë dhe të pathyeshëm nga nami dhe vepra e tyre që na frymëzon, përkundër sfidave me të cilat ballafaqohemi në forcimin e shtetit tonë të pavarur”.  

Dita e Dëshmorëve në Mitrovicë, mbyllet në mbrëmje, në orën 18:00 me  një akademi përkujtimorë që mbahet në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”.