2011/06/29 - 12:00
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ramë Buja, bashkë me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati si dhe drejtorin komunal për Arsim, Ali Bejta, kanë vizituar të mërkurën shkollën fillore “Bedri Gjina” në Mitrovicë. Ata kanë parë për së afërmi ecurinë e testit të arritshmërisë në klasat e nënta. Ministri Buja, u shpreh i kënaqur me ecurinë dhe tha se testi ka shkuar mirë në gjithë vendin. “Nuk ka pasur ndonjë problem dhe as ankesa nga nxënësit. Jemi duke punuar që të gjithë lëshimet eventuale t’i evitojmë në proces”.
Në anën tjetër kryetari Kastrati, ka falënderuar ministrin Buja për vizitën në Mitrovicë. “Bashkërisht kemi vizituar klasat ku zhvillohej testi. Gjithçka ishte në rregull dhe nxënësit ishin të kënaqur”.
Drejtori komunal për Arsim, Ali Bejta, tha se në të gjitha shkollat e komunës testi ka nisur në orën 10:00 ashtu siç ishte paraparë dhe nuk është raportuar për ndonjë problem.