2011/06/29 - 12:00
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati i shoqëruar nga drejtori për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, kanë pritur të mërkurën në takim ministren për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, e cila shoqërohej nga përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Fernando Gentillini dhe ambasadori francez, Jean Fransua Fitou. Në takim u bisedua për punën që është duke u bërë për rintegrimin e të riatdhesuarve. Ministrja Çitaku tha se ka vizituar shumicën e komunave të vendit për të parë gjendjen reale dhe aktivitetet që janë duke u ndërmarrë nga komunat në lidhje me këtë proces mjaft të rëndësishëm. “Rintegrimi i të riatdhesuarve është një prej kritereve kryesore të lidhur edhe me liberalizimin e vizave për Kosovën. Për këtë të gjithë duhet të jemi të angazhuar që puna mos të ngec”.
Tha se deri me tani komunat nuk kanë aplikuar shumë për të përfituar nga fondi prej 3.5 milionë eurosh të ndarë nga qeveria për rintegrimin e të riatdhesuarve. “Ky fond duhet të shfrytëzohet prej komunave për të riatdhesuarit. Janë mjete të ndara për ushqim, strehim, barna por edhe nisjen e ndonjë biznesi të vogël nga të riatdhesuarit”.
Në lidhje me angazhimet që ka ndërmarrë Komuna e Mitrovicës për rintegrimin e të riatdhesuarve, kryetari Kastrati, tha se megjithë rrethanat specifike Mitrovica në këtë aspekt qëndron mirë. Për këtë ai falënderoj ambasadorin francez, që ishte i pranishëm në takim dhe qeverinë franceze për dhurimin e kampit “Belvedere” në Frashër, me çka është krijuar mundësi për pritjen dhe strehimin e të riatdhesuarve”.
Kryetari Kastrati, tha se në atë kamp që do të menaxhohet nga Komuna dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), janë rreth 800 kontejnerë për strehim, mandej ekziston kuzhina etj. “Në përgjithësi është një vend që do të na ndihmoj shumë për sistemimin e rasteve sociale që kanë probleme me strehim, mandej të riatdhesuarve dhe azilkërkuesve. Pjesa ku do të vendosen këto dy kategoritë e fundit do të do të menaxhohet nga MPB.
Ndërsa drejtori për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, tha se në Mitrovicë në vitin e kaluar janë riatdhesuar 40 familje, ndërsa në gjashtë muajt e parë të këtij viti 116 familje. “Prej këtyre 116 familjeve të riatdhesuara për 19 prej tyre kemi të dhëna në detaje për numrin e anëtarëve të familjes, pronës së tyre, kushteve etj. Të tjerët i kemi kontaktuar dhe i kemi njoftuar për mundësitë që ju ofrohen dhe që duhet t’i shfrytëzojnë”.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Fernando Gentillini dhe ambasadori francez, Fitou, kanë potencuar rëndësinë e rintegrimit të të riatdhesuarve. Ata kanë vënë në pah domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror, por edhe faktorëve ndërkombëtarë që ndihmojnë në këtë drejtim.