Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Mitrovica nderoi humanisten zvicerane Dora Wegman

2011/06/12 - 12:00

Në shenjë respekti dhe nderimi për humanisten e ndjerë zvicerane, Dora Wegman, e cila kishte ndihmuar kosovarët e përndjekur gjatë luftës, të dielën në Frashër të Mitrovicës u përurua një rrugë me emrin e saj. Në këtë ngjarje, pos kryetarit të komunës, Avni Kastrati, ishin të pranishëm    edhe ministrat Bajram Rexhepi e Vlora Çitaku si dhe zëvendësambasadori zviceran Piere Maurer, të cilët e çmuan kontributin e humanistes Wegman.
 

Në shenjë respekti dhe nderimi për humanisten e ndjerë zvicerane, Dora Wegman, e cila kishte ndihmuar kosovarët e përndjekur gjatë luftës, të dielën në Frashër të Mitrovicës u përurua një rrugë me emrin e saj. Në këtë ngjarje, pos kryetarit të komunës, Avni Kastrati, ishin të pranishëm    edhe ministrat Bajram Rexhepi e Vlora Çitaku si dhe zëvendësambasadori zviceran Piere Maurer, të cilët e çmuan kontributin e humanistes Wegman.
Kryetari Kastrati, tha me këtë rast se përkushtimi i saj ndaj njeriut, në këtë rast, ndaj qytetarëve të Kosovës në vitet e luftës, në kohën kur ata përjetonin momentet më të tmerrshme si pasojë e shfrenimit të regjimit të Millosheviqit, ka qenë shumë më tepër së një mbështetje morale. “Ajo ka sensibilizuar opinionin zviceran dhe më gjerë për atë që po ndodhte në Kosovë. Ajo është lutur dhe i ka lutur të tjerët që të luten dhe të ndihmojnë Kosovën”.
Duke folur me tej për humanisten, emrin e të cilës prej sot e mban një rrugë në Frashër, kryetari theksoi se mbështetja që ka dhënë për pritjen e të dëbuarve nga Kosova paraqet një segment tjetër me rëndësi. “Si e tillë ajo ka gëzuar dhe gëzon respekt jo vetëm në vendin e saj, por në të gjitha vendet ku ka vepruar. Në këtë kontekst, një ndjenjë shumë e veçantë për të ushqehet në zemrat e qytetarëve të Kosovës që kanë dëgjuar apo janë takuar me Dora Vegman”.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në këtë ceremoni për emërtimin e rrugës me emrin e Dora Vegman, një personaliteti të shquar të popullit zviceran, e cila me mbështetjen e saj për njerëzit në vuajtje ka tejkaluar barrierat nacionale.
Ai tha se nisma e saj për të ndihmuar njerëzit që po vriteshin e përndiqeshin kishte gjetur përgjigje nga institucionet dhe nga organizatat joqeveritare e kishtare në Zvicër.   “Miku i mirë, për ditë të vështirë”, thotë populli ynë. Kjo i përshtatet më se miri kësaj gruaje dhe humanisteje të madhe, e cila kishte arritur të shoh të lirë njerëzit e Kosovës”.
Ministri Rexhepi, ndër të tjera, tha se lidhja e saj me njerëzit do të jetë e përjetshme dhe këtë e forcon edhe më shumë bashkëpunimi dhe ndihma e vazhdueshme e shtetit zviceran për qytetarët tanë.
Ndërsa, Bahri Rexha, i cili ka marrë nismën për emërtimin e kësaj rruge, ka folur për kontributin e Dora Wegman dhe për projektin e nisur që ka të bëj me ndërtimin e një shtëpie për pleqtë.