2011/01/17 - 12:00
Të prirë nga Policia Ushtarake e FSK-së, zyrtarët komunalë në Mitrovicë, kanë dorëzuar në Shkodër dy kamionë me ndihma për banorët që janë përballur me probleme të mëdha si pasojë e përmbytjeve. Transporti i ndihmave, kryesisht ushqimore, është siguruar nga FSK-ja, përkatësisht nga Batalioni për Reagim të Shpejtë. Delegacioni nga Mitrovica që ka dorëzuar ndihmat në Shkodër, i përbërë nga Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, mandej drejtori për Financa, Gani Shala si dhe përfaqësuesi i biznesve prodhuese në Mitrovicë, Bilall Hasani, janë pritur nga vetë prefekti Mexhid Cungu. Ai ka falënderuar zyrtarët dhe nëpërmjet tyre gjithë qytetarët e Mitrovicës për ndihmat që kanë mbledhur.
Ai ka vlerësuar si kjo është një ndihmë shumë e mirëseardhur për banorët e atjshëm, të cilët përrreth një muaj ditë kanë qëndruar jashtë shtëpive të tyre të përmbytura. "Tani gjendja është stabilizuar në përgjithësi, por problemet mbeten të mëdha, meqë dëmet janë të mëdha".
.
Prefekti i Shkodrës, Mexhid Cungu, tha se ndihma kanë ardhur nga gjithë Kosova, por edhe nga shtetet tjera. Sqaroi se problemet me të mëdha janë për bagëtitë për të cilat mungon ushqimi. Ndërsa sa i përket dëmëve të shkaktuara, ai theksoi, se tash është faza kur do të nis puna për llogaritjen e tyre.
Në anën tjetër, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka thënë se mitrovicasit përkundër problemeve që kanë nuk kanë hezituar të ndihmojnë vëllezërit e tyre në Shkodër. "Në Mitrovicë gjendja ekonomike nuk është e mirë, mirëpo bizneset pa asnjë hezitim ju kanë përgjigjur aksionit për të ndihmuar banorët e Shkodrës".
Ai sqaroi se nisma për mbledhjen e ndihmave ishte ndërmarrë nga kryetari i Komunës, Avni Kastrati, i cili kishte formuar edhe një komision me zyrtarë komunale dhe përfaqësues të biznesit. Tha se për dy javë ditë ka vazhduar aksioni për mbledhjen e ndihmave që janë tubuar në një depo të qendrës së kulturës “Rexhep Mitrovica”.
Drejtori Bala sqaroi se biznesmenët mitrovicas kanë ndihmuar me artikuj ushqimorë, mandej veshmbathje, teknikë të bardhë. “ Ka qenë një solidarizim i madh i të gjithëve. Qytetarët mitrovicas janë treguar shumë solidarë me vëllezërit nga Shkodra”.
Ai përmendi ndihmën e punëtorëve të PTK-së që kanë dhuruar 405 euro me të cilat janë siguruar një sasi patatesh për shkodranët. "Komuna e Mitrovicës kishte ndihmuar qytetarët e Shkodrës edhe vitin e kaluar, pas përmbytjeve që kishin ndodhur atje".
Prefekti i Shkodrës dhe delegacioni nga Mitrovica janë pajtuar që pas stabilizimit të situatës në Shkodër, të organizojnë vizita të ndërsjella me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit të rregullt.