2011/07/28 - 12:00
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, tha se me gjithë tensionet e shtuara, sidomos në veri dhe dezinformatat e shumta që kanë qarkulluar gjatë 24 orëve të fundit, por edhe të lëvizjeve të pazakonshme të disa grupeve të qytetarëve serbë, situata e sigurisë në komunë ka qenë relativisht e qetë dhe pa incidente, falë masave të shtuara që janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës dhe angazhimit të njësive të KFOR-it, si dhe sjelljes dinjitoze të qytetarëve, të cilët nuk janë bërë pre e dezinformatave të shumta.
Komiteti Lokal për Siguri Publike i Komunës së Mitrovicës, nën drejtimin e Avni Kastratit, kryetar i komunës, ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm, në të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në veriun e komunës dhe të vendit. Në takim, përveç përfaqësuesve të strukturave të sigurisë, morën pjesë edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrustem Musa, kryetarët e grupeve të këshilltarëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës dhe drejtuesit disa institucioneve tjera të rëndësishme komunale.
Pjesëmarrësit në takim fillimisht kanë nderuar me një minutë heshtje policin Enver Zymberi dhe më pastaj kanë dënuar ashpër vrasjen e tij dhe sulmin ndaj dy pikave kufitare në veri të vendit dhe djegien e asaj në Jarinje të Leposaviqit, nga bandat kriminale serbe.
Po ashtu, pjesëmarrësit në takim mbështetën pa rezervë qëndrimet e Kryeministrit Thaçi dhe masat që janë ndërmarrë dhe po ndërmerren për shtrirjen e autoritetit shtetëror në tërë territorin e vendit dhe mbrojtjen e integritetit të tij.
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, tha se me gjithë tensionet e shtuara, sidomos në veri dhe dezinformatat e shumta që kanë qarkulluar gjatë 24 orëve të fundit, por edhe të lëvizjeve të pazakonshme të disa grupeve të qytetarëve serbë, situata e sigurisë në komunë ka qenë relativisht e qetë dhe pa incidente, falë masave të shtuara që janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës dhe angazhimit të njësive të KFOR-it, si dhe sjelljes dinjitoze të qytetarëve, të cilët nuk janë bërë pre e dezinformatave të shumta.
Ai tha se në lagjet veriore të qytetit, të banuara me shqiptarë, ka pas një shtim të pjesëtarëve të policisë së Kosovës, me qëllim që atje të ketë siguri e rend për të gjithë dhe në këtë mënyrë të shmangen incidentet eventuale.
Përfaqësuesi i Drejtorisë rajonale të policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, tha se gjendja në lagjet veriore ka filluar të tensionohet pas zhvillimeve që ndodhen pikën kufitare në Jrinje, por që fatmirësisht nuk janë shënuar incidente.
Policia e Kosovës, duke vërejtur shqetësimin e banorëve jo serbë në lagjet veriore, të cilët kishin parë lëvizje të pazakonshme dhe grupe të armatosura të qytetarëve në lagjet e tyre, ka ndërmarrë masa shtesë për sigurinë e tyre. Po ashtu, tha ai edhe në fshatrat shqiptare të komunave të administruara nga serbët, policia ka qenë prezent plotë 24 orë, ndërkohë që herë pas here kanë patrulluar edhe pjesëtarët e KFOR-it.
Zahiti njoftoi se në rrugët magjistrale që shpinë për në dy pikat kufitare në veri të vendit, janë edne të bllokuara, nga barrikadat e vendosur në Rudare të Zveçanit dhe Zupçe të Zubin Potokut. Ai shtoi, se edhe ura kryesore mbi lumin Ibër është bllokuar për automjete nga KFOR-i, për shkaqe sigurie, ndërsa që për lëvizje të qytetarëve është e lirë.
Behxhet Bala, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se në komunë është ngrit niveli i sigurisë dhe se institucionet lokale kanë komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e të gjitha mjediseve. Falë këtij komunikimi, me ç’rast ata i informojmë realisht për zhvillimet në komunë, qytetarët e komunës kanë treguar maturi dhe nuk kanë rënë nën ndikimin e provokimeve të ekstremistëve serbë.
Drejtori i spitalit rajonal të Mitrovicës, Agim Peci, tha se, për të qenë të gatshëm për intervenime eventuale, të gjithë punëtorët e këtij institucioni shëndetësorë janë të mobilizuar dhe kujdestarojnë 24 orë, se janë bërë gati hapësirat e nevojshme për intervenime dhe se kanë siguruar një sasi shtesë të gjakut.