2010/08/09 - 12:00
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka hapur të hënën në Mitrovicë kuzhinën e parë publike në Kosovë, për shtresa me gjendje të rëndë sociale.
“Jam krenar që për herë të parë, nën kompetencën e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, hapet një kuzhinë popullore për shtresa me gjendje të rëndë sociale. Nuk do të ndalemi vetëm me kaq, por do të hapim kuzhina të këtilla edhe në qendrat tjera rajonale të Kosovës”, ka thënë Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, në qytetin e Mitrovicës, me rastin e hapjes së kuzhinës së parë publike në Kosovë.
Ai tha se këto kuzhina po hapen në kuadër të një projekti të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, me qëllim që në to të mund të ushqehen kategoritë më të rënda sociale të shoqërisë në Kosovë.
Ministri Rashiq, tha se solidariteti në Kosovë ka qenë gjithmonë traditë, andaj ka ftuar të gjithë ata që kanë mundësi, ta ndihmojnë këtë projekt. “Fatkeqësisht nevojat në vendin tonë janë të mëdha, dhe unë po ju premtoj se kuzhina të tilla do të ketë edhe në qytetet tjera, duke filluar menjëherë më Prishtinën dhe për të vazhduar në qendrat tjera rajonale të vendit”, tha ai.
Avni Kastrati, kryetar i Mitrovicës, tha se se sot është një ditë gëzimi për të gjithë neve, pasi që me ndihmën e Ministrisë përkatëse dhe të donatorëve tjerë, po ju mundësojmë shtresave të caktuara të shoqërisë të kenë një vend të caktuar për t’u ushqyer.
Robert Wright, drejtor gjeneral i Raiffeisen Bank, e cila për këtë projekt ka ndarë shumën prej 60.000 eurosh, duke i dhënë për tri vite me radhë nga 20.000 euro, tha se është nder i veçantë për të që është pjesë e një projekti të tillë, të parë në Kosovë. Sipas tij, kjo është pjesë e objektivave të kësaj banke për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
“Ne do të jemi të përkushtuar që edhe në të ardhmen të përkrahim projekte të tilla, dhe do të punojmë në drejtimin që njerëzit e Kosovës në të ardhmen të jetojnë në kushte sa më të mira”, ka thënë Wright.
Menaxheri i kompanisë implementuese të projektit, “Eminex”, Nexhat Idrizi, ka falënderuar MPMS-në dhe Komunën e Mitrovicës për këtë projekt humanitar, siç tha ai, sa të rëndësishëm aq edhe human, duke shpresuar që kjo iniciativë të ketë aplikim edhe më të gjerë, meqë ekziston numri i madh i rasteve sociale në këtë rajon. “Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që këtë projekt ta implementojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.
Përveç komunës e Raiffeisen Bank, projektin e ka mbështet edhe PTK-ja me 45.000 euro. Kuzhina do të jetë e hapur për çdo ditë prej orës 6:00 deri në orën 16:00 dhe do të ofrojë rreth 200 shujta për çdo ditë, ku përfituesve u ofrohet supa, sallata, dhe katër lloje të ndryshme të gjellërave.