2011/09/29 - 12:00
Të enjten ekstremistët sulmuan punëtorët që po e pastronin shtratin e lumit Ibër, pa asnjë arsye. “Fatmirësisht, edhe qytetarët serbë janë vetëdijesuar dhe nuk janë duke i ndjekur veprimet e ekstremistëve, me përjashtim të një numri tejet të vogël sish. Falë këtij vetëdijesimi dhe sjelljeve të urta të shqiptarëve, gjendja të enjten nuk ka eskaluar, ashtu sikur që kanë pritur pjesëtarët e bandave kriminale serbe”, tha Haziri.
Nënkryetari i Komunës, Riza Haziri, ka pritur në ambientet e Kuvendit të Komunës, avokatin e Popullit të Republikës së Kosovës, Sami Kurteshi, me të cilin ka biseduar për gjendjen aktuale të sigurisë dhe për gjendjen e të drejtave të njeriut në komunën e Mitrovicës.
Duke ju përgjigjur interesimit të avokatit të popullit lidhur me situatën aktuale të sigurisë dhe për të lënduarit nga ekstremistët serbë të enjten, nënkryetari Haziri tha se gjendja në komunën e Mitrovicës ditëve të fundit ka qenë relativisht e qetë, por gjithnjë e tensionuar.
Por, tha në vazhdim Haziri, ekstremistët serbë me veprimet e tyre kriminale, të nxitur nga drejtuesit e strukturave joligjore dhe jolegale serbe, po ashtu kriminale, po tentojnë që këtë gjendja ta destabilizojnë dhe përkeqësojnë, me qëllim të realizimit të interesave të tyre të ngushta për përfitime personale.
Kështu, tha ai, edhe të enjten ekstremistët sulmuan punëtorët që po e pastronin shtratin e lumit Ibër, pa asnjë arsye. “Fatmirësisht, edhe qytetarët serbë janë vetëdijesuar dhe nuk janë duke i ndjekur veprimet e ekstremistëve, me përjashtim të një numri tejet të vogël sish. Falë këtij vetëdijesimi dhe sjelljeve të urta të shqiptarëve, gjendja të enjten nuk ka eskaluar, ashtu sikur që kanë pritur pjesëtarët e bandave kriminale serbe”, tha Haziri.
Ai i tha avokatit të popullit se gjendja shëndetësore e të lënduarve në sulmin e bandave kriminale serbe të enjten, është përmirësuar dukshëm dhe se komuna po bënë përpjekje të mëdha për të krijuar kushte për të realizuar të drejtat e qytetarëve sa i përket lëvizjes së lirë.
Nënkryetari Haziri, i tha po ashtu avokatit të popullit, Sami Kurteshi, se në komunën e Mitrovicës që prej pas luftës ka pas dhe vazhdon të ketë shkelje të të drejtave të qytetarëve, sidomos të shqiptarëve në veri të qytetit, sa i përket shfrytëzimit të pronave të shqiptarëve, për shkak se kjo u është mohuar vazhdimisht nga ekstremistët serbë dhe strukturat jo ligjore paralele serbe.
Avokati i popullit, Sami Kurteshi, pasi shprehu shqetësimin e tij për dhunën në veri të qytetit dhe përgjithësisht në veri të vendit, të shkaktuar nga ekstremistët serbë, tha se është i njoftuar edhe me shkeljen e të drejtave të qytetarëve mitrovicas, sidomos kur është fjala për shfrytëzimin e pronave të tyre, duke theksuar këtu pjesën veriore të qytetit.
Ai tha se në kuadër të kompetencave dhe detyrave që ka, veçanërisht lidhur me shkeljet në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut, duke filluar nga lëvizja e lirë dhe shfrytëzimi i pronave të qytetarëve, vazhdimisht ka ngritur dhe do të ngre zërin, për të kërkuar nga organet dhe institucionet kompetente, që të marrim të gjitha masat e nevojshme për evitimin e shkeljeve të evidentuara, kudo qoftë që janë bërë ato.