Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Nis hartimi i Planit Lokal të Veprimit në Mjedis

2011/10/21 - 12:00

Me nismën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka nisur hartimi i Planit Lokal të Veprimit në Mjedis (PLVM). Në këtë projekt janë përfshirë përveç zyrtarëve komunalë dhe ekspertëve edhe përfaqësues të komunitetit dhe shoqërisë civile. Kryetari Kastrati, e ka cilësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm për Mitrovicën, duke pasur parasysh gjendjen mjedisore në këtë komunë. Ai premtoi mbështetjen e gjithanshme për të bërë një projekt të mirë dhe si dokument orientues për të gjitha hapat që kanë të bëjnë me përmirësimin e gjendjes mjedisore.

Ai theksoi se pikërisht për të forcuar segmentin që ka të bëj me mjedisin e ka formuar edhe drejtorinë  e veçantë për mjedisin në këtë komunë. “Mitrovica kërkon një përkushtim shumë të madh dhe serioz për t’u përballur me problemet mjedisore që ka trashëguar nga e kaluara”.

Kryetari Kastrati në këtë vazhdë përmendi edhe aktivitet tjera që kanë të bëjnë me mjedisin. Ai tregoi për caktimin e një kompanie përkatëse për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbëruara në Mitrovicë, që tashmë ka nisur të jap rezultatet e para.   

Ndërsa koordinatori për PLVM, Xhelal Shabani, tha se tashmë janë caktuar njerëzit që do të punojnë për hartimin e këtij plani. Tha se janë krijuar dy grupe, njëri punues dhe tjetri koordinues.

Ai tregoi se me mbështetje të SIDA-së tri ditë rresht anëtarët e këtyre dy grupeve kanë mbajtur edhe një trajnim për hartimin e PLVM-së nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) në Kosovë. “Është duke u punuar në të gjitha drejtimet që të përgatitet një plan serioz, i cili pritet të jetë i gatshëm brenda një viti”.

Ai theksoi se rëndësia e këtij plani është në atë se do të shndërrohet në një dokument bazë për mjedisin. “Do të jetë një dokument që do të na shërbej ne si komunë për orientimin e të gjitha investimeve që  kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit”.          

Shabani ceku se ndër problemet kryesore mjedisore që janë trashëguar nga e kaluara janë mbetjet industriale.