Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Nis mbulimi i shpenzimeve nga komuna për ceremonitë e varrimit

2011/06/01 - 12:00

Projekti për mbulimin e shpenzimeve të varrimit të qytetarëve të Mitrovicës nga komuna, një muaj pas fillimit të implementimit të tij, vlerësohet si shumë human dhe i suksesshëm. Për ecurinë e këtij projekti  u bisedua në një takim ndërmjet kryetarit të komunës, Avni Kastrati dhe zyrtarëve të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, të prirë nga kryetari Jetish Berisha.   Kryetari Kastrati, theksoi se kjo nismë e tij ka gjetur përkrahjen edhe të këshilltarëve të Kuvendit të Komunës, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike në Mitrovicë. “Kemi dashur që në momentet e rënda për qytetarët e komunës sonë, kur kanë raste të vdekjeve në familjet e tyre, t’u gjendemi pranë duke u ndihmuar dhe mbuluar shpenzimet për ceremonitë e varrimit”.

Në anën tjetër, kryetari i BI-së në Mitrovicë, Jetish Berisha, tha se implementimi i projektit ka nisur me 1 maj dhe për një muaj ka pasur pasur 35 raste të vdekjeve, të cilat janë lajmëruar në BI. Tha se qytetarët e kanë mirëpritur këtë gjë, meqë ka shkurtuar edhe procedurat që kanë kryer në raste të tilla.

Ai sqaroi se në rastet e vdekjeve, krejt ajo çka duhet të bëjnë familjarët është që të lajmërohen në BI. “Prej momentit që lajmërohet rasti, BI-ja merr të gjitha obligimet, si hapjen e varrit, transportin e kufomës, dërrasat, qefinin, pastrimin e kufomës dhe ceremonitë fetare”.

Poashtu Berisha tha se në rastet kur personi ka vdekur në shtëpi dërgohet mjeku për konfirmimin e rastit dhe mandej lëshohet edhe certifikata e vdekjes. “Kjo është një gjë me rëndësi meqë familjet që kanë pasur raste të vdekjeve nuk kanë njoftuar institucionet përkatëse”.