Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Nis ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në Bare

2011/07/31 - 12:00

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, mandej drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani si dhe zyrtarë të tjerë komunalë, kanë marrë pjesë të dielën në vënien e gurthemelit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Bare të Shalës së Bajgores. Ky projekt vlerësohet shumë me rëndësi për banorët  e këtij rajoni.
Kryetari Kastrati, tha se komuna do të vazhdoj të investoj në krijimin e kushteve për aktivitete kulturore edhe në zonat rurale. “Përveç në qytet, ne do të investojmë që të rinjtë të kenë kushte për aktivitete rinore dhe kulturore edhe në fshatra”.

Ndërsa drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani, tha se në Bare Shtëpia e Kulturë ka funksionuar prej vitit 1946, mirëpo objekti i saj ishte shkatërruar dhe djegur në luftën e fundit. “Në këtë fshat ka funksionuar deri në luftë Shtëpia e Kulturë dhe biblioteka, mirëpo gjatë luftës serbët i kanë djegur të dy objektet”.

Osmani theksoi se prej përfundimit të luftës biblioteka është duke funksionuar në një kontejner, ndërsa pas ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës, ajo të vendoset në objektin e ri. “Fshati Bare ka qenë një qendër për Shalën e Bajgorës, ku pos këtyre objekteve kulturore, mandej ambulancës që edhe tash funksionon, ka pasur edhe fabrikë”.

Përveç në Bare, ai tregon se në rajonin e Shalës, përkatësisht në Trepçë, ka funksionuar deri në luftë edhe kinemaja, objekti i së cilës poashtu tash është i shkatërruar. “Duke pasur parasysh se në këtë rajon ka shumë të rinj, është vlerësuar si shumë me rëndësi investimi në krijimin e kushteve për aktivitet e tyre rinore dhe kulturore në afërsi të vendbanimeve të tyre”.

Ai sqaroi se për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës me hapësirë prej 300 metrash katrorë në Bare, drejtoria e tij ka ndarë 125 mijë euro. “Punët është duke i kryer kompania “Erconstruktion”, ndërsa planifikohet që punimet të kryhen brenda 60 ditësh”.