2011/06/14 - 12:00
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, kanë vënë gurthemelin për ndërtimin e një xhamie me gjithë objektet përcjellëse në afërsi të varrezave të qytetit në Shipol. U vlerësua si një objekt mjaft me rëndësi që do të ndikoj në shkarkimin e qytetit, duke pasur parasysh se aty do të kryhen të gjitha ritet fetare për rastet e vdekjeve. Kryetari Kastrati, tha se tha se Komuna është duke bërë përpjekje që të jetë sa më afër qytetarëve me projekte të ndryshme. “Ky projekt është në vazhdën e projekteve i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve”. Ai falënderoi kryesuesin e Kuvendit të Komunës, Rrustem Musa, i cili kishte dhënë përkrahje të madhe në realizimin e këtij projekti. Gjithashtu gjithashtu falënderoi edhe donatorin e këtij projekti, biznesmenin nga Inegoli i Turqisë, Zekerija Keroglu, i cili ka dhuruar mjetet për ndërtimin e këtij objekti.
Ndërsa Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërnava, tha se Mitrovica ka pas fatin që në krye ta ketë një njeri si kryetari Kastrati, i cili bashkoi guximin dhe dijen në të mirë të qytetarëve. “Veprimet e tij duhet të jenë model edhe për kryetarët e komunave të tjera se si duhet t’u ndihmohet qytetarëve në praktikë. Jo vetëm ky projekt, por edhe projekti të cilën komuna ka filluar ta implementoj për mbulimin e shpenzimeve të varrimit të qytetarëve, janë dëshmia më e mirë se kryetari Kastrati, po mundohet që ta dërgoj në vend amanetin e marrë nga qytetarët e Mitrovicës”.
Ky objekt do të ketë një sipërfaqe prej 320 metrave katrorë, ndërsa punimet do të kryhen nga kompania “MAKAS”. Pronari i kësaj kompanie, Nexhat Dedia, tha se punët priten të kryhen në afat prej 45-50 ditë pune, ndërsa kostoja e përafërt do të jetë rreth 80 mijë euro.