Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Nis studimi i fizibilitetit për projektin 14 milionësh të KE-së në Mitrovicë

2010/11/19 - 12:00

Pas vendimit që është marrë më herët për ndarjen e rreth 14 milionë eurove nga Komisioni Evropian (KE) për Mitrovicën, tashmë kanë filluar edhe hapat e parë për realizimin e këtij projekti. KE-ja ka caktuar një grup ekspertësh, të cilët do të bëjnë studimin e fizibilitetit dhe do të përgatisin planet për objektet rekreativo sportive dhe komerciale që planifikohen të ndërtohen. Në këtë kontekst, këto ditë kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka mbajtur disa takime me përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë ku është diskutuar për modalitetet e bashkëpunimit sa i përket fillimisht fazës që ka të bëjë me studimin e fizibilitetit. Kryetari Kastrati është zotuar për përkrahje të gjithanshme me të gjitha kapacitetet që ka komuna në dispozicion për këtë projekt.

Në një takim që ka zhvilluar me përfaqësuesen e ZNKE-së në Prishtinë, Carol Puollove dhe ekspertin e sjellur nga KE-ja, John Robert, kryetari Kastrati, ka shprehur vullnetin që të ofroj në dispozicion të tyre të gjitha kapacitetet humane dhe teknike që ka komuna për studimin e fizibilitetit dhe realizimit të këtij projekti. “Ne jemi shumë të mobilizuar që të ndihmojnë në të gjitha aspektet në mënyrë që sa më shpejtë të kryhet studimi i fizibilitetit, të përgatitet plani dhe të realizohet ky projekt kapital për Mitrovicën”.

Kryetari Kastrati dhe përfaqësuesit e  ZNKE-së kanë vizituar në terren disa nga objektet e dedikuara për aktivitete sportive në Mitrovicë. Poashtu ata janë interesuar edhe për statistika të ndryshme, si për numrin e nxënësve, studentëve etj, që janë të rëndësishme për planet që do të bëhen.

Eksperti John Robert, tha se planifikohet që të ndërtohet një pishinë shumë moderne, e cila do të jetë në dispozicion të fëmijëve dhe të rinjve në këtë komunë. Poashtu ai ka përmendur edhe planet për ndërtimin e objekteve dhe sallave sportive për karate, ping-pong, xhudo, mandej objekte komerciale etj. Megjithatë, ai ka sqaruar se për më tepër për vendin ku do të ndërtohen, për madhësinë e tyre etj, do të dihet pas studimit të fizibilitetit që do të zgjas disa muaj.

Ai ka sqaruar se këto kapacitete nuk do të shfrytëzohen për gara të ekipeve profesionale, por nga të rinjtë e komunës. Robert ka thënë se një punë shumë me rëndësi do të bëhet në aspektin e trajnimit të njerëzve që do të menaxhojnë këto objekte dhe që do të punojnë aty.