Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Njoftim për vendosjen e flamurin shtetëror për festë

2011/02/15 - 12:00

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës, ka lëshuar një njoftim për pronarët, personat përgjegjës, personat fizik dhe juridik të subjekteve afariste, organeve, institucioneve, organizatave etj, lidhur me përdorimin e flamurit shtetëror me rastin e festave zyrtare të Republikës së Kosovës. Ky njoftim korrespondon me shënimin e trevjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Drejtori i kësaj drejtorie, Lulzim Zeqiri, tha se në bazë të dispozitave të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, të lartpërmendurit janë të obliguar që për festat zyrtare të përcaktuara me nenin 2.  paragrafi 2.1 pika “B” të Ligjit nr. 03/L-064 “ Për festat zyrtare në Republikën e Kosovës” të vendosin flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës. “Për  Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, flamuri shtetëror duhet të vendoset me datën 16 shkurt 2011, prej orës 16:00 deri më datën 18 shkurt 2011 në ora 08:00”.

Drejtori Zeqiri tha se flamuri duhet të ngjitet në shtizën e destinuar dhe të vendoset në hyrje të çdo objekti të subjektit afarist, organit, institucionit, organizatës etj. “Për hir të Ditës së Pavarësisë, lusim që ditën dhe kohën e cekur, të vendoset flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës, si dhe këtë ditë mos të punohet”. Mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të Ligjit dhe këtij njoftimi, do t`a bëjnë inspektorët kompetent  e Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës.