2010/05/13 - 12:00
Zyra e OBSH-së në Prishtinë, i ka dhurua Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë një automjet të përshtatshëm për ushtrimin e veprimtarisë shëndetësore në viset rurale, që deri tash i ka munguar kësaj qendre.
Përfaqësuesi i OBSH-së për Kosovë, dr Skënder Syla, duke ia dorëzua automjetin drejtoreshës së QKMF-së në Mitrovicë, dr Sanije Mehollit, ka thënë se kjo është ky është një donacion i vogël për këtë qendër mjekësore, por që megjithatë do të ndikoj në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët e kësaj komune.
Ai ka premtuar se edhe në të ardhmen do të bëjë përpjekje për të gjetur mënyra për të ndihmuar shëndetësinë e Mitrovicës, e cila është në gjendje më të vështirë se sa në komunat tjera, për shkak të rrethanave specifike në të cilat ndodhet Mitrovica.
Drejtoresha e QKMF-së në Mitrovicë, dr Sanije Meholli, ka thënë se ky donacion i dhuruar nga OBSH-ja, është shumë i mirëseardhur për QKMF-në, të cilës i kanë munguar dhe ende i mungojnë automjetet e nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë shëndetësore ashtu si duhet, në mënyrë profesionale dhe me efikasitet.
Pasi që e ka falënderuar shumë OBSH-në, përkatësisht përfaqësuesin e saj për Kosovë, dr Sylën, për automjetin e dhuruar, doktoresha Meholli ka thënë se tani e tutje banorët e fshatrave të komunës, të cilat janë mjaftë të shkapërderdhura, do të vizitohen shumë më shpesh nga ekipet mjekësore të QKMF-së, pasi që automjeti i dhuruar është i përshtatshëm për terrene vështira, çfarë janë nëpër fshatrat e komunës.
“Përveç se do të ofrohen shërbime më efikase e cilësore shëndetësore për të sëmurët, me automjetin e dhuruar do të kemi mundësi shumë më të mira për vaksinimin me kohë dhe edukimin shëndetësorë të popullatës në viset rurale”, ka thënë doktoresha Meholli.
Edhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në komunën e Mitrovicës, dr Shaqir Demiri, është shprehur të jetë i kënaqur me donacionin e OBSH-së për shëndetësinë e komunës, duke thënë se me të janë krijuar kushte më të volitshme për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e komunës, kudo që ata jetojnë.