2011/04/15 - 12:00
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, i shoqëruar nga Drejtori për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, kanë vu kurora lulesh të premten në Shtëpinë Muze në Lagjen e Boshnjakëve, kur para 12 vitesh ishin vrarë 9 persona nga policët serbë. Me këtë rast nënkryetari Haziri, ka thënë se kjo Shtëpi Muze ruan në kujtesë një nga ngjarjet e tmerrshme të luftës së fundit në Kosovë. Ai ka thënë se familjarët e të rënëve duhet të gjejnë ngushëllim në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që është fryt i sakrificës së bijve të tyre. “Kjo dëshmi e dhunës serbe në këtë lagje tregon tendencat e tyre para shumë vitesh për pastrimin etnik të kësaj hapësire shqiptare. Mirëpo prania juaj këtu është dëshmia më e fortë për lidhjen tuaj me këtë tokë të të parëve, pa marrë parasysh pasojat që keni përjetuar”, tha nënkryetari Haziri, para një numri qytetarësh dhe familjarësh të atyre që ishin vrarë me atë rast në atë vend.
Në këtë tubim, foli edhe Fevzi Beqiri, nga Lagja e Boshnjakëve. Ai tha se këtu ka ndodhur një gjenocid ndaj popullatës shqiptare. “Gjendja është e rëndë edhe tani. Banorët shqiptarë kanë probleme me siguri, papunësi etj”.
Beqiri përmendi edhe problemin që kanë së fundi sa i përket regjistrimit të popullatës. “Ne jemi indinjuar, meqë ka rrezik që të mbetemi jashtë këtij procesi. Poashtu ne ua bëjmë me dije të gjithëve se nuk do të pranojmë që të regjistrohemi fare nëse këtë nuk e bëjnë institucionet vendore”.