2011/07/15 - 12:00
Në bazë të nenit 12.2. pika c dhe nenit 34.4 të Ligjit nr. 03./L-040 Për Vetëqeverisjen Lokale, nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr. 2008/08 “Për marrëveshjet e bashkëpunimit të komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane “ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe nenit 23.2 pika c e Statutit të Komunës së Mitrovicës, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës në mbledhjen e mbajtur më 07.07.2011, miratoi në parim:
PROJEKT-RREGULLOREN
PËR ORGANIZIMIN DHE BASHKËPUNIMIN E KOMUNËS ME FSHATRAT, VENDBANIMET DHE LAGJET URBANE NË KOMUNËN E MITROVICËS
Republika e Kosovës
Komuna e Mitrovicës
PROJEKT-RREGULLORE
PËR ORGANIZIMIN DHE BASHKËPUNIMIN E KOMUNËS ME FSHATRAT, VENDBANIMET DHE LAGJET URBANE NË KOMUNËN E MITROVICËS
Mitrovicë, korrik 2011
Në bazë të nenit 12.2. pika c dhe nenit 34.4 të Ligjit nr. 03./L-040 Për Vetëqeverisjen Lokale, nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr. 2008/08 “Për marrëveshjet e bashkëpunimit të komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane “ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe nenit 23.2 pika c e Statutit të Komunës së Mitrovicës, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës në mbledhjen e mbajtur më 07.07.2011, miratoi në parim:
PROJEKT-RREGULLOREN
PËR ORGANIZIMIN DHE BASHKËPUNIMIN E KOMUNËS ME FSHATRAT, VENDBANIMET DHE LAGJET URBANE NË KOMUNËN E MITROVICËS
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Kjo Rregullore, ka për qëllim që të rregullojë organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet në territorin e Komunës së Mitrovicës, themelimin e këshillave të Bashkësive vendore, kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre, duke i siguruar banorët e fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane në realizimin e të drejtave, interesave dhe obligimeve të tyre, në shumë fusha të jetës dhe paraqitjes të organizuar para Komunës dhe organeve të saj.
Neni 2
Konstituimi (themelimi) i këshillave vendore
2.1. Në Komunën e Mitrovicës, vetëqeverisja lokale mund të ushtrohet në nivel të Bashkësive vendore: në qytet si Bashkësi urbane dhe në fshatra si Bashkësi rurale, konform dispozitave ligjore dhe statutare.
2.2. Territoret në të cilat themelohen Bashkësitë urbane, përcaktohen sipas Vendimit të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës Nr. 01/06-16/3 të datës 16.06.2006, ndërsa Bashkësitë rurale në fshatra, mbulohen brenda kufijve të fshatrave, në bazë të shënimeve të kadastrës së vendbanimeve.
2.3. Në pamundësi që në çdo fshat, vendbanim ose lagje urbane të zgjidhen këshillat, atëherë një këshill mund të përshijë një e më tepër fshatra, vendbanime apo lagje urbane.
Neni 3
3.1. Këshillat e Bashkësive vendore do të kenë 5 – 9 anëtarë, varësisht nga numri i banorëve. Numri i saktë i anëtarëve për secilin këshill, në bazë të kësaj Rregulloreje, përcaktohet me vendim të Kuvendit të Komunës.
3.2. Në rast se këshilli zgjidhet për më shumë fshatra, vendbanime apo lagje urbane, atëherë përbërja e këshillit duhet të përfshijë përfaqësimin e çdo fshati, vendbanimi apo lagjeje urbane, me përfaqësim gjinor dhe etnik.
3.3. Në rast se në fshatra, vendbanime apo lagje urbane jetojnë anëtarë të pakicave, ata përfaqësohen në këshill, me së paku një (1) anëtar.
3.4. Këshilli i Bashkësisë vendore zgjidhet në tubimin e qytetarëve, përmes votimit të fshehtë, përveç në rastet kut tubimi vendos ndryshe.
3.5. Në tubimin publik me të cilin duhen të zgjidhen këshilli i fshatrave, vendbanimeve apo lagjeve urbane, pjesëmarrja e qytetarëve duhet të jetë:
a) Në tubimin për zgjedhjen e këshillit të fshatrave, së paku 21 pjesëmarrës;
b) Në tubimin për zgjedhjen e këshillit të vendbanimeve, së paku 31 pjesëmarrës;
c) Në tubimin për zgjedhjen e këshillit të lagjeve, së paku 51 pjesëmarrës.
3.6. Tubimin publik e hap qytetari më i moshuar, i cili merr pjesë në mbledhje dhe kryeson tubimin deri në zgjedhjen e këshillit.
3.7. Këshilli i Bashkësisë vendore zgjidhet me mandat 4 vjeçar dhe nga radhët e anëtarëve të tij zgjedh kryetarin.
3.8. Kryetar i këshillit zgjidhet kandidati, i cili ka fituar shumicën e votave në tubimin e qytetarëve të bashkësisë vendore.
3.9. Kryetari i këshillit thërret dhe udhëheq mbledhjet e këshillit dhe kujdeset për organizimin dhe punën e tij. Ai nënshkruan aktet e miratuara nga ana e këshillit dhe është i obliguar t’i dorëzojë ato te Kryesuesi i Kuvendit dhe Kryetari i Komunës, në afat prej 14 ditësh, nga dita e miratimit të tyre.
3.10. Këshilli i Bashkësisë vendore nga radha e vet zgjedh sekretarin dhe arkëtarin.
3.11. Këshilli, anëtarët dhe kryetari i këshillit mund të shkarkohen edhe para kalimit të mandatit, nëse nga zgjedhësit e tyre konstatohet se kanë lëshime në punët e tyre.
3.12. Shkarkimi i këshillit, anëtarëve dhe kryetarit të këshillit, bëhet sipas procedurës së njëjtë për zgjedhjen e këshillit dhe të kryetarit.
Neni 4
4.1. Kuvendi i Komunës emëron një komision për të udhëhequr dhe koordinuar punën në terren për zgjedhjen e këshillave të fshatit, vendbanimeve dhe lagjeve urbane.
4.2. Komisioni duhet të përfshijë anëtarë të spektrit politik, etnik dhe gjinor të përfaqësuar në Kuvendin e Komunës si dhe profesionistë të çështjeve komunale.
4.3. Komisioni emërohet me vendim të veçantë të Kuvendit të Komunës.
Neni 5
5.1. Dy javë para datës së mbajtjes së tubimit të qytetarëve për zgjidhjen e këshillave, Kuvendi i Komunës, përmes zyrës për informim, përveç tjerash, informon qytetarët edhe përmes:
Tabelës së shpalljeve publike;
Shpalljeve publike në vendet më të frekuentuara brenda territorit të komunës;
Mediat e shkruara dhe elektronike lokale; dhe
Ueb-faqes zyrtare komunale.
5.2. Njoftimi publik, sipas paragrafit 1 të këtij neni, përmban;
Datën e tubimit të qytetarëve;
Kohën e tubimit të qytetarëve;
Vendin e mbajtjes së tubimit të qytetarëve dhe
Rendin e ditës.
Neni 6
6.1. Për të gjitha tubimet me qytetarë, në lidhje me zgjedhjen dhe shkarkimin e këshillave të Bashkësive vendore, mbahen procesverbalet.
6.2. Procesverbali nga tubimi me qytetarë përmban: emrat dhe mbiemrat e anëtarëve të komisionit komunal që udhëheqin dhe koordinojnë punën në terren për zgjidhjen e këshillave të Bashkësive vendore, zyrtarëve komunalë, numrin e qytetarëve që kanë marrë pjesë në tubim, të dhënat për zgjedhjen apo shkarkimin e këshillit të Bashkësisë vendore, procedurat e votimit dhe çështjet tjera të nevojshme që duhet të shënohen në procesverbal.
6.3. Procesverbalin e mban një person i caktuar nga komisioni komunal, i cili organizon tubimin.
6.4. Procesverbalin e nënshkruan kryesuesi i tubimit dhe procesmbajtësi, ndërsa komisioni sipas nenit 3 të kësaj Rregulloreje, i raporton Kuvendit të Komunës për rrjedhën e tubimeve për zgjedhjen e këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane.
Neni 7
Kryetari dhe anëtarët tjerë të këshillit aktivitetin e tyre e zhvillojnë në baza vullnetare.
Neni 8
Kompetencat dhe përgjegjësitë e këshillit
Këshillat e Bashkësive vendore, ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e përcaktuara si më poshtë:
Miratojnë rregulloren e punës së këshillit;
Organizojnë, përcjellin dhe planifikojnë zhvillimet e lokalitetit, në bashkëpunim me Kuvendin e Komunës, Kryetarin e Komunës dhe drejtoritë e Administratës Komunale;
Emërojnë komisionet përkatëse për t’i realizuar objektivat e lagjeve urbane dhe lokaliteteve të fshatrave;
Evidencojnë dhe paraqesin prioritetet e lokalitetit para organeve të Komunës;
Hartojnë planet dhe programet zhvillimore të lokalitetit në të gjitha sferat;
Ndërmarrin iniciativa për ruajtjen e pronës së Komunës dhe pasurive tjera të paluajtshme shtetërore në lokalitetin përkatës;
Bëjnë llogarinë 6 mujore dhe vjetore të mjeteve të arkëtuara dhe i bëjnë ato transparente për qytetarët e lokalitetit, në harmoni me dispozitat e Statutit të Komunës dhe të kësaj Rregulloreje;
Sigurojnë të dhëna elementare për secilën familje të lokalitetit përkatës, përcjellin gjendjen ekonomike të tyre dhe japin rekomandime e propozime në lidhje me këto;
Caktojnë personat përgjegjës, të cilët ngarkohen me përcjelljen e gjendjes financiare të lokalitetit, sipas kategorive, të cilat caktohen me vendim të posaçëm të këshillit të lokalitetit;
Bëjnë organizimin e aksioneve vullnetare në interes të lokalitetit dhe organizimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive;
Kujdesen për: sigurimin e hapësirave dhe varrezave, furnizimin me ujë, rregullimin e kanalizimit, drenazhimin dhe ofrimin e shërbimeve publike efikase në lokalitete, ofrimin e mbrojtjes parësore shëndetësore të qytetarëve të lokalitetit për mbrojtjen e ambientit dhe zhvillimin e turizmit të lokalitetit;
Nxjerrin vendime dhe rekomandime në interes të qytetarëve të lokaliteteve në komunë, në pajtim me dispozitat e Ligjit për vetëqeverisjen lokale dhe Statutit të Komunës;
Në bazë të nevojave dhe kërkesave të qytetarëve, apo me iniciativën e Këshillit të Bashkësive vendore, mund të përcaktohet grumbullimi i vetë kontributit të qytetarëve në pajtueshmëri me dispozitat e Statutit të Komunës.
Kryejnë edhe detyra të tjera, të cilat mund të jenë të bartura nga Kuvendi i Komunës ose Kryetari i Komunës.
Neni 9
Përgjegjësitë e bartura nga Komuna në këshill
9.1 Me kërkesën e Këshillit dhe rekomandimin e Kryetarit të Komunës, Kuvendi i Komunës me vendim të posaçëm, mund t’i delegojë përgjegjësi shtesë për t’i ushtruar këshilli i Bashkësive vendore.
9.2 Komuna ofron burime të mjaftueshme për fshatrat, vendbanimet apo lagjet urbane, me qëllim të përmbushjes së përgjegjësisë së bartur.
Neni 10
Bashkëpunimi i komunës me këshillat e Bashkësive vendore
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Kryetari i Komunës, dhe drejtoritë Komunale, koordinojnë punët me këshillat e fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane përmes kryetarëve të këshillave, varësisht nga specifikat që do të trajtohen.
Neni 11
Përgjegjësitë për mos përmbushjen e obligimeve
Për të gjitha përgjegjësitë e përcaktuara me këtë rregullore dhe punët e bartura, këshilli i fshatit, vendbanimeve apo lagjes urbane përkatëse, mban obligime dhe përgjegjësi ligjore në rast të mos ushtrimit të përgjegjësive.
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE DHE KALIMTARE
Neni 12
Në rast konflikti të dispozitave të kësaj Rregulloreje me Ligjin për vetëqeverisjen lokale dhe Statutin e Komunës, mbizotërojnë dispozitat e Ligjit dhe Statutit.
Neni 13
Ndryshimet dhe plotësimet eventuale në këtë Rregullore, do të bëhen sipas procedurës së nxjerrjes së saj.
Neni 14
Kjo Rregullore hynë në fuqi ditën e miratimit nga ana e Kuvendit të Komunës.
Kryesuesi i Kuvendit
Dr. Rrustem MUSA