2011/02/09 - 12:00
Misioni i OSBE-së në Mitrovicë ka publikuar një përmbledhje gjithëpërfshirëse me të dhëna demografike, socio-ekonomike dhe kulturore të komuniteteve të Kosovës. Theksohen atributet e veçanta, nevojat dhe brengat e komuniteteve që përbëjnë pakicë në nivelin lokal, si dhe sfidat me të cilat përballen ato. Bernd Burwitz, drejtor i Qendrës Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, në një aktivitet të organizuar për prezantimin e këtij publikimi, tha se profilet e komuniteteve përcjellin një porosi konstruktive dhe të qartë te të gjithë ata që bartin përgjegjësi për barrierat ekzistuese ndërmjet komuniteteve të cilat parandalojnë shumë njerëz që të gëzojnë të drejtat e tyre. “Mungesa e mirëkuptimit për nevojat dhe brengat e veçanta apo ndonjëherë edhe të përbashkëta të njëri- tjetrit mbeten sfidat kryesore për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas tij, profilet ofrojnë shtjellim të gjendjes së këtyre komuniteteve në tërë Kosovën, duke u fokusuar në qasjen në shërbime, pjesëmarrjen në jetën publike, siguri, punësim, kthim e riintegrim, qasje në pronë, banim dhe arsim. Përmbledhja gjen se niveli i gëzimit të të drejtave dhe lirive ndryshon nga komuna në komunë nganjëherë me liri të kufizuar të lëvizjes, pjesëmarrje të pamjaftueshme në jetën publike, qasje të penguar në shërbime dhe marrëdhënie të rënduar ndëretnike si çështje kryesore që kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme. “Duke identifikuar vështirësitë me të cilat përballen komunitetet, OSBE kërkon të inkurajojë autoritetet që të përgjigjen ndaj nevojave specifike të këtyre komuniteteve në mënyrë më efektive përderisa promovojnë mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë”, tha Burwitz.
Profilet janë të bazuara në hulumtimet dhe aktivitetet monitoruese të OSBE-së të bëra gjatë vitit 2010, ndërkohë që ky është një përditësim i përmbledhjes fillestare të Misionit të vitit 2009 rreth komuniteteve të Kosovës.