Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Rregullohet trotuari në rrugën Mitrovicë-Tunel

2011/06/16 - 12:00

Ka përfunduar edhe faza e dytë e rregullimit të trotuarit skaj rrugës Mitrovicë-Tunel, që njihej edhe si rruga e vdekjes si pasojë e rasteve të shpeshta të aksidenteve me fatalitet. Zyrtarët komunalë thonë se ka qenë nevojë dhe kërkesë e kahershme e banorëve të asaj ane rregullimi këtij trotuari, meqë ka shumë këmbësorë, përkatësisht nxënës që e frekuentojnë atë rrugë. Drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli, sqaron se për shkak të urgjencës që kishte rregullimi i këtij trotuarit, komuna ka ndarë mjetet e nevojshme nga buxheti vetanak për realizimin e këtij projekti. “Faza e parë e projektit është realizuar vitin e kaluar, ndërsa faza  e dytë tani sapo ka përfunduar”, tha ai, duke shprehur kënaqësinë që tashmë janë krijuar kushte shumë më të mira për qarkullimin e këmbësorëve, por edhe të automjeteve në atë rrugë.

Ai tha se në fazën e parë është rregulluar trotuari me gjatësi prej 1700 metrash dhe me gjerësi prej 1.6 metrash. “Vlera e investimit për këtë fazë ka qenë 63.591 euro”, tha ai.

Ndërsa në fazën e dytë, sipas tij, është rregulluar trotuari në gjatësi prej 1630 metrash dhe me gjerësi prej 1.5 metrash. “Në këtë fazë vlera e investimit ka qenë 55 mijë euro. Në të dyja fazat punët i ka kryer kompania “Tropiku””.