2011/04/15 - 12:00
Përmirësimi i gjendjes në shëndetësinë e Mitrovicës, do të jetë prioritet i ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani. Këtë ai e tha të premten gjatë një vizite në Mitrovicë, ku pos takimeve me drejtuesit e komunës vizitoi edhe spitalin e ri si dhe shtëpinë e shëndetit në këtë qytet. Ministri Agani tha se do të bëj gjithçka që është e mundur që të ndikoj në përmirësimin e situatës në këtë aspekt në këtë komunë. “E dimë gjendjen në Mitrovicë, andaj nuk do të kursejmë asgjë që të ndryshojmë këtë gjendje”.
Ai poashtu premtoi edhe mbështetje për problemin e mungesës së kuadrit për spitalin e ri të ndërtuar me ndihmën e Qeverisë së Norvegjisë. “Objekti i ri i spitalit është shumë modern andaj ne do të ndihmojnë që të zgjidhet problemi i mungesës së mjekëve”.
Ministri Agani tha se do të angazhohet edhe për rritjen e kompetencave me të mëdha për komunën sa i përket menaxhimit të spitalit. “Mitrovica ka situatë specifike prandaj duhet të bëjmë edhe zgjidhje specifike”.
Në anën tjetër kryetari i Komunës, Avni Kastrati, ka falënderuar ministrin Agani për mbështetjen si dhe Qeverinë Norvegjeze që ka ndihmuar për ndërtimin e spitalit në Mitrovicë. Ndërsa për gjendjen aktuale në shëndetësi ka folur drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Shaqir Demiri, i ka përshkruar në detaje problemet dhe nevojat.
Bashkë me ministrin në takim ka qenë edhe zëvendësambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jon Hansen, i cili ka premtuar se ndihma nga shteti i tij nuk do të mungoj edhe në të ardhmen për shëndetësinë e Mitrovicës.