Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

SHGM reagon ndaj UNMIK-ut për moskomunikim me mediat shqipe

2010/10/07 - 12:00

Shoqata e Gazetarëve të Mitrovicës (SHGM), ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së përgjegjësve të Administratës së UNMK-ut në Mitrovicë, të cilët ka kohë që i kanë mbyllur dyert tërësisht për gazetarët shqiptarë që raportojnë nga kjo komunë. SHGM -ja bënë të ditur se gjatë tërë këtij viti, gazetarët shqiptarë, si të mediave lokale ashtu edhe ata që raportojnë për media qendrore, nuk kanë arritur që të marrin asnjë prononcim në lidhje me zhvillimet, ngjarjet dhe incidentet e shumta që kanë ndodhur në pjesën veriore të qytetit, që administrohet nga UNMIK-u. Në reagim thuhet se në veri të qytetit, edhe gjatë këtij viti ka pas anarki, zhvillime e ngjarje të ndryshme dhe incidente shumë të rënda e  me pasoja tragjike dhe në asnjë rast zyrtarët e UNMIK-ut, nuk kanë pranuar të prononcohen për gazetarët mitrovicas, madje as për problemet e shumta që i kanë qytetarët  shqiptarë  që jetojnë në këtë pjesë të qytetit. Ndër të tjera ceket se administrata e UNMIK-ut nuk ka një qëndrim të tillë ndaj gazetarëve serbë në pjesën veriore të Mitrovicës, të cilët mirëpriten çdoherë nga përgjegjësit e saj. “Kjo njëanshmëri e Administratës së UNMIK-ut është e pa pranueshme, ashtu sikur që është e pa pranueshme edhe jo transparenca e saj karshi mediave dhe opinionit shqiptarë”, thuhet në reagim. Gjithashtu SHGM kërkon nga Administrata Qendrore e UNMIK-ut në Prishtinë, që të reagoj ndaj sjelljes së pa përgjegjshme të drejtuesve të kësaj administrate në Mitrovicë, duke i detyruar ata që të jenë transparent për media dhe të mos e pengojnë  punën e tyre për informimin e opinionit lidhur me zhvillimet në komunën e Mitrovicës. SHGM kërkon nga asociacionet tjera të gazetarëve të Kosovës dhe nga institucionet tjera ndërkombëtare që të ngritin zërin kundër bllokadës së administratës së UNMIK-ut  në Mitrovicë karshi gazetarëve shqiptarë që raportojnë nga kjo komunë.