Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Shqiptarët e veriut të Mitrovicës kërkojnë masa shtesë të sigurisë

2011/09/22 - 12:00

Kryetari i OJQ-së “Bregu i Veriut”, Dr Musa Miftari, i tha kryetarit Kastrati se pas letrës së hapur që drejtuesit e OJQ-së ua kanë dërguar institucioneve lokale, atyre më të larta të vendit dhe EULEX-it, e kanë parë si shumë të nevojshëm takimin me të, për të biseduar më konkretisht për zgjidhjen me prioritet të disa çështjeve konkrete. Ai tha se si çështje prioritare që do zgjidhje adekuate të menjëhershme, është çështja e sigurisë dhe e lëvizjes së lirë për shqiptarët në të gjitha lagjet veriore ku ata jetojnë.

Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, ka biseduar të mërkurën në ambientet e Kuvendit të Komunës për problemet aktuale të shqiptarëve që jetojnë në lagjet veriore të qytetit, më drejtuesit e OJQ “Bregu i Veriut”.

Kryetari i OJQ-së “Bregu i Veriut”, Dr Musa Miftari, i tha kryetarit Kastrati se pas letrës së hapur që drejtuesit e OJQ-së ua kanë dërguar institucioneve lokale, atyre më të larta të vendit dhe EULEX-it, e kanë parë si shumë të nevojshëm takimin me të, për të biseduar më konkretisht për zgjidhjen me prioritet të disa çështjeve konkrete. Ai tha se si çështje prioritare që do zgjidhje adekuate të menjëhershme, është çështja e sigurisë dhe e lëvizjes së lirë për shqiptarët në të gjitha lagjet veriore ku ata jetojnë.
Miftari i tha në vazhdim kryetarit Kastrati se në situatën aktuale të krijuar, shumë të tensionuar, kërkesë e shqiptarëve  të të gjitha lagjeve veriore është që të vendosen menjëherë pika statike të policëve të Kosovës, të EULEX-it apo të KFOR-it, në vendet më strategjike të lagjeve veriore me popullatë të përzier etnike, pra ku jetojnë shqiptarët, serbët, boshnjakët e të tjerët.
Përveç kësaj, tha në vazhdim Miftari, është kërkesë e banorëve të këtyre lagjeve që patrullat policore të jenë më të shpeshta në brendi të lagjeve të tyre dhe që ato domosdoshmërish të jenë multietnike, e jo sikur që po ndodh në të shumtën e rasteve, të jenë të përbëra vetëm nga policët serbë.
“Me realizimin e këtyre kërkesave, për të cilat mendojmë se nuk janë të parealizueshme, do ndiheshim të gjithë më të sigurt, do të pamundësohej sorollatja e keqbërësve nëpër lagje dhe do të përmirësoheshin raportet ndëretnike në lagje. Po ashtu, ndërmarrja e këtyre masave do të ndikonte që në këto lagje të kthehen pa hezituar edhe të gjithë ata që me dhunë janë zhvendosur nga lagjet”, tha Miftari.
Përfaqësuesit tjerë të lagjeve veriore, si Ibrahim Bala,  Xhafer Brahimi, Hilmi Bqeqiri, Afrim Ahmeti, Musa Jonuzi, Adnan Bekteshi dhe Qamil Hajrizi, i rrëfyen kryetarit Kastrati edhe për problemet tjera të shumta që familjeve të tyre dhe familjeve të tjera që jetojnë në veri ua shkaktojnë ekstremistët serbë dhe bandat e ndryshme kriminale serbe, vetëm pse janë shqiptarë dhe se janë të vendosur për të mos i lëshuar pronat e tyre.
 Ata kërkuan edhe kësaj radhe që të vazhdohen punët në rindërtimin e shtëpive shqiptare të filluara dhe atyre që ende nuk kanë filluar, në mënyrë që njerëzit mos t’i humbin shpresat dhe dekurajohen për kthim në pronat e tyre në veri të qytetit.
Kryetari Kastrati ju tha drejtuesve të OJQ “Bregu i Veriut”, se i kupton plotësisht problemet me të cilat shqiptarët e lagjeve veriore po ballafaqohen në jetën e përditshme dhe se në veçanti e shqetësojnë problemet e sigurisë që vazhdimisht janë të pranishme në lagjet veriore.
Ai ju premtoj atyre se menjëherë do t’i takoj drejtuesit e policisë dhe ata të institucioneve për të kërkuar realizmin e kërkesave që u shtruan në bisedë, e për të cilat është i mendimit se mund realizohen pa asnjë problem
Lidhur me kërkesat tjera, Kryetari Kastrati tha se komuna po bënë gjithçka që është e mundur që shqiptarët që jetojnë në lagjet veriore të ndihmohen, me qëllim që të kenë sa më pak telashe për të bërë një jetë normale. Ndërsa, sa i përket rindërtimit të shtëpive në veri, ai tha se po pret që të arrijnë mjetet e premtuara nga Qeveria e Kosovës  për të vazhduar këtë proces tejet të rëndësishëm.