2010/08/31 - 12:00
Drejtori Bala tha se që nga mbledhja paraprake e KLSPK-së, mbajtur dy javë më parë gjatë, në territorin e komunës nuk ka pas incidente të rënda që do ta përkeqësonin gjendjen, përveç disa zjarreve me përmasa të vogla, që kanë ndodhur në fshatrat Kqiq, Kutllovc dhe Frashër, por të cilat nuk kanë shkaktuar dëme të mëdha dhe janë lokalizuar shpejtë falë intervenimit të zjarrfikësve të komunës dhe në një rast edhe atyre të KFOR-it.
Mitrovicë, 31 gusht
Komiteti Lokal për Siguri Publike i Komunës (KLSPK), kryesuar nga Behxhet Bala, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në takimin e rregullt, mbajtur të hënën, vlerësoi se gjendja e sigurisë në komunë gjatë dy javëve të fundit, ka shënuar vazhduar të stabilizohet më tutje dhe për këtë flet edhe fakti se ajo ka qenë e qetë dhe pa probleme.
Drejtori Bala tha se që nga mbledhja paraprake e KLSPK-së, mbajtur dy javë më parë gjatë, në territorin e komunës nuk ka pas incidente të rënda që do ta përkeqësonin gjendjen, përveç disa zjarreve me përmasa të vogla, që kanë ndodhur në fshatrat Kqiq, Kutllovc dhe Frashër, por të cilat nuk kanë shkaktuar dëme të mëdha dhe janë lokalizuar shpejtë falë intervenimit të zjarrfikësve të komunës dhe në një rast edhe atyre të KFOR-it.
Ai tha se në destabilizimin e gjendjes nuk ka ndikuar as protesta e punëtorëve serbë për paga, mbajtur më 24.08.2010 në veri të Mitrovicës, kundër Qeverisë së Serbisë dhe as incidenti në komunën fqinje, Zubin Potok, të administruar nga serbët, ku para tri ditësh është sulmuar me granatë stacioni i policisë së Kosovës, në të cilin përveç dëmeve materiale nuk ka pas pasoja të tjera.
Në këtë takim, drejtori i Ujësjellësit Rajonal të Mitrovicës, Faruk Hajrizi, i njoftoi të pranishmit se janë zbutur pakënaqësitë e qytetarëve lidhur me furnizimin me ujë për pije, pasi që janë bërë përmirësime në rrjetin që furnizon me ujë lagjen Bair dhe Stan Tërgun, por falë edhe faktit se fabrika është duke punuar me kapacitet maksimal dhe prodhon aktualisht 600 litra në sekondë, nga e cila sasi furnizohen, sipas orarit të caktuar, komuna e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe ajo e Skënderajt.
Po ashtu, në takim u konstatua se kthimi i familjeve rome nga kampet veriore “Osterode” dhe “Çesmin Llug”, në “Lagjen e romëve”, në pjesën jugore të qytetit, do të filloj sot dhe do të zgjas nëntë ditë, përderisa në shtëpitë e rindërtuara të kthehen të 45 familjet përfituese.
Komiteti vlerësoi se nuk pritet të ketë probleme me rastin e kthimit të këtyre familjeve, pasi që situata e përgjithshme në komunë është gjithnjë e më relaksuese dhe pasi që edhe familjet tjera, të kthyera më parë janë pritur mirë nga qytetarët dhe nuk kanë pas probleme.