2010/11/22 - 12:00
Përkundër shtimit të masave të sigurisë nga autoritetet përgjegjëse, edhe në dy javët e fundit në veri të Mitrovicës, kanë ndodhur disa incidente. Megjithatë përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë vlerësuan të hënën në takimin e Komitetit për Siguri se këto incidente nuk kanë ndikuar në sigurinë e përgjithshme. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se në veri të Mitrovicës në dy javët e fundit kanë ndodhur disa shpërthime. Ai e përmendi rastin e shpërthimit në një garazh të një pronari serb, mandej shpërthimin afër një shtëpie poashtu të një pronari serb në veri. Tha se këto akte bëjnë që gjendja të jetë e paqëndrueshme.
Ndërsa kryetari i komunës, Avni Kastrati, është fokusuar në nevojën për mobilizimin e autoriteteve në kohën kur fillon fushata zgjedhore. Theksoi se të gjithë duhet të jenë të mobilizuar në mënyrë që gjithçka të shkoj qetë dhe pa probleme.
Komandanti i stacionit policor në jug të qytetit, Avni Zabeli, tha se në këtë zonë të përgjegjësisë gjendja është e qetë. Potencoi se policia është në përgatitje të planit operativ për kohën e fushatës zgjedhore.
Përfaqësuesit e KFOR-it që ishin të pranishëm në takim, lavdëruan punën e mirë të Policisë së Kosovës. Ata gjithashtu folën për bashkëpunim të mirë sa i përket mbajtjes së përbashkët të pikave të kontrollit.