2010/05/24 - 12:00
Përfaqësuesit e strukturave politike dhe ata të sigurisë, vlerësuan të hënën në Komitetin e Komunës për Siguri Publike, se gjendja e sigurisë në Mitrovicë, gjatë dy javëve të fundit ka vazhduar të jetë e qetë dhe pa probleme të mëdha, edhe pse në këtë periodë janë shënuar disa incidente.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, Behxhet Bala, i cili edhe e kryesoi takimin, në të cilin ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e policisë së Kosovës, KFOR-it, të EULEX-it, OSBE-së, shoqërisë civile etj, tha se incidentet e vogla që kanë ndodhur gjatë kësaj periode nuk kanë lënë pasoja në situatën e përgjithshme, ashtu sikur që nuk ka pas ndikime negative në këtë gjendje as protesta e punëtorëve të Kombinatit “Trepça”, e cila ka përfunduar fatmirësisht pa incidente dhe me marrëveshje me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.
Bala tha se megjithatë gjatë dy javëve të fundit ka pas disa shqetësime tek qytetarët që jetojnë në komunë, sikur që është rasti i parë i gjuajtjes me gurë, nga ana e personave të panjohur gjatë kalimit në vendbanimet serbe, të autobusit që i transporton banorët shqiptarë të fshatrave të komunës së Leposaviqit që administrohet nga serbët, të cilët udhëtojnë për çdo ditë nga fshatrat Bistricë, Cerajë, Koshtovë e Vllahisë për në Mitrovicë dhe anasjelltas, për nevojat e tyre jetësore.
Sipas Balës, shqetësimi tjetër për banorët jo serbë që jetojnë në veriun e Mitrovicës dhe të vendit, janë vizitat e shpeshta të politikanëve dhe qeveritarëve nga Serbia, në Mitrovicë, të cilët të përcjellur nga eskorte të shumta të armatosura dhe me fjalimet e tyre provokuese, po i frikësojnë qytetarët jo serbë që jetojnë këtë pjesë të Republikës së Kosovës.
Drejtori Bala lidhur me këtë, kërkoi nga organet kompetente të sigurisë që të ndërmarrin masa të duhura ligjore për të parandaluar ekseset eventuale që mund të shkaktohen nga vizitat dhe provokimet e këtilla.
Përfaqësuesi i policisë së Kosovës, Bashkim Spahiu, komandant i stacionit jugor të policisë në Mitrovicë, tha se gjendja e rendit dhe sigurisë në komunë është e qetë, ndonëse ka pas disa incidente dhe pakënaqësi të vogla, por të cilat nuk kanë ndikuar negativisht në të.
Spahiu përmendi rastet e vizitave të serbëve në varrezat që ndodhen në pjesën jugore të qytetit dhe ato në fshatin Frashër, për të cilat tha se kanë kaluar pas asnjë problem, gjë që flet për një stabilizim të përgjithshëm gradual të gjendjes dhe për relaksim të raporteve ndëretnike.
Ndërkaq, përfaqësuesi i KFOR-it tha se ushtarët e këtij misioni me vëmendje po i vëzhgojnë zhvillimet dhe se në rast se paraqitet nevoja, ata janë të gatshëm që me efikasitet të plotë të ndihmojnë policinë e Kosovës.